“Shumë më keq se e prisja”, Coutinho pranon realitetin
Philippe Coutinho ka pranuar se nuk ka pasur një sezon të mirë me Barcelonën, por ka premtuar përmirësim nëpërmjet punës edhe më të madhe. Braziliani u transferua për 120 milionë euro nga Liverpool në “Camp Nou”, në janar 2018. Fillimisht pati sukses te katalanasit, por pas tetë golave dhe pesë asisteve në 18 ndeshje të La Liga-s, Coutinho vuajti në sezonin e dytë.
Ai shënoi vetëm pesë gola dhe dha dy asiste në La Liga, duke shtuar edhe tre gola e tri asiste në Ligën e Kampionëve. Vështirësitë e hasura bënë që ta humbiste balotazhin me Ousmane Dembele për titullar, por edhe kur luajti (ngaqë u dëmtua Dembele), u kritikua mjaft nga tifozët, veçanërisht pas eliminimit të Barcelonës nga ish-klubi i tij, Liverpool, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Dhe Coutinho pranon se ka pasur një sezon jo të mirë, por beson se do të përmirësohet për shkak të etikës së tij të punës: “Nuk kam pasur një sezon të mire. Performancat e mia kanë qenë shumë më keq sesa prisja. E vetmja mënyrë për t’u përmirësuar dhe fituar besimin është puna. Dhe unë jam nga ata që punoj shumë”. /FaktePlus