Shumë ankesa të subjekteve politike dorëzohen në PZAP
88 ankesa nga subjektet politike janë paraqitur në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për shkelje të ndryshme që janë bërë gjatë fushatës dhjetë ditore dhe për thyerjen e heshtjes zgjedhore më 5 dhe 6 tetor.
E, numër më të madh të ankesave ka paraqitur Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Partia Socialdemokrate, shkruan FaktePlus.
Kështu ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Mulë Desku, kryesues Sekretariatit të PZAP-së, i cili ka treguar edhe numrin e ankesave të të gjitha subjekteve politike dhe koalicioneve.
“Lëvizja Vetëvendosje, për fushatë ka paraqitur 33 ankesa, ndërsa për heshtje zgjedhore 3 ankesa gjithsej 36 ankesa. Lidhja Demokratike e Kosovës, për fushatë ka paraqitur 12 ankesa, ndërsa për heshtje zgjedhore 29 ankesa, gjithsej 41 ankesa. Partia Demokratike e Kosovës, për fushatë ka paraqitur 3 ankesa, ndërsa për heshtje zgjedhore 2 ankesa, gjithsej 5 ankesa, dhe koalicioni AAK–PSD, për heshtje zgjedhore ka paraqitur 6 ankesa”, ka thënë Desku për FaktePlus.
Ndërsa, derisa ka folur për ankesat e subjekteve politike , Desku ka treguar edhe se çfarë lloje të ankesave kanë pranuar për fushatë zgjedhore.
“Vendosja e posterave në hapësira publike, përdorimi i fëmijëve në fushatë, presion ndaj votuesve për të votuar subjektin e caktuar politik, shfrytëzimi i pozitës publike me qëllim të përfitimit të votave, përdorim i gjuhës së urrejtjes, vendosja e tavolinës me postera të kandidatëve në rrugë publike, vendosja e tendës me materiale propaganduese në rrugë publike, shpërndarja e videove nëpër rrjete sociale dhe përdorim i fëmijëve në fushatë Zgjedhore”, ka thënë Desku.
Kurse, të ndryshme kanë qenë ankesat për thyerjen e heshtjes zgjedhore.
“Vendosja e posterit në hapësirë publike, vendosja e flamujve partiak në hapësirë publike, Shfrytëzimi i hapësirave publike, kërkesë për mbylljen e zyrave të Subjektit Politik afër QV ne ditën e zgjedhjeve, postimi i reklamave aktive në Facebook, postimi i reklamës politike aktive në Facebook, thirrje për votim në Facebook, transmetimi i spotit politik publicitar-RTK, thirrje për votim me sms, postimi i fotove në rrjete sociale gjatë heshtjes zgjedhore, vendosja e posterit ne afërsi 100m afër QV, postimi i videos në rrjetin social, postim i materialeve zgjedhore në rrjete sociale, thirrje për votim, fotografim i votës, shpërndarja e materialit propagandues partiak ne afërsi te vendvotimeve, mos largimi i posterit gjatë heshtjes zgjedhore ne afërsi te qendrës së votimit, kërkim vote përmes Telefonit, mos lejimi i votimit ne qendrën përkatës te votimit, dhe thirrje për votim përmes SMS-ve”, ka deklaruar Desku, për FaktePlus.
FaktePlus, në PZAP ka pyetur edhe për atë se a ka pasur lëvizshmëri të gjobave për partitë politike, por Desku ka thënë se janë duke i pranuar ankesat e shqyrtuara nga paneli dhe se ende nuk i kanë të gatshme.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor, derisa sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve prin Lëvizja Vetëvendosje më 200.953 vota ose 25,51%.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka 195.534 vota ose 24,82%, kurse Partia Demokratike e Kosovës ka 167.402 ose 21.25%.
Koalicioni AAK-PSD ka marrë 90.839 vota ose 11,53%. Koalicioni Nisma-AKR-PD vazhdon të mbetet nën pragun e zgjedhor, pasi ka marrë 38.639 vota ose 4.90%.
Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Edhe numri i votave të pavlefshme vazhdon të shënojë rritje. Nga numërimi i 98,47% të votave të deritanishme, 40.290 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga ana e KQZ-së./FaktePlus