Shuhet ose jo Ministria – Diaspora duhet të jetë prioritet qeveritar
Dy partitë që dolën të parat në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po synojnë që nëse arrijnë koalicion për të bashkëqeverisur, ta reduktojnë edhe numrin e ministrive. Zvogëlimi i numrit të ministrive do ta prekë edhe Ministrinë e Diasporës, e cila është themeluar në vitin 2011, pikërisht për ta pasur në fokus diasporën kosovare.
Ministria e Diasporës me zvogëlimin e numrit të ministrive, që pritet të ndodh në Qeverinë e ardhshme, do të shndërrohet në departament brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke mos qenë dikaster në vete.
Mirëpo, para se të marrin një vendim për shndërrimin e Ministrisë së Diasporës në departament brenda MPJ-së, organizata jo- qeveritare ‘Germin’, e cila fokus ka diasporën, ka kërkuar nga qeveria e re që para se ta marrë çfarëdo vendimi të tillë, të diskutojnë me organizatën e diasporës, misionet diplomatike për ta kuptuar se si duhet t’iu qasen kësaj çështje.
Liza Gashi, drejtoreshë ekzekutive e organizatës ‘Germin’ ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se me diasporën duhet të merren të gjitha institucionet, e jo vetëm një institucion.
“Germin konsideron që diaspora është temë horizontale, dhe konsiderojmë që nuk duhet të jetë (MIDIS) i vetmi institucion, i cili merret me organizimin e komuniteteve jashtë vendit. Por, e cila ka për detyrë të adresojë çështjet që lidhen me diasporën dhe në narrativen politike të vendos si prioritet lidhjen e diasporës me vendin e origjinës. Prandaj, Germin mendon qe diaspora duhet të jetë politike horizontale dhe prioritet qeveritar dhe jo si një institucion për të “rehatuar” aktivistë politikë sa herë që pushteti ndryshohet. Ndoshta para se të ndërmarrë ndonjë hap, qeveria e re duhet të zhvillojë konsultime me organizatën e Diasporës, misionet diplomatike për të kuptuar më mirë se si t’i adresohet kësaj çështje, pasi që po flasim për 45% e popullatës e cila jeton jashtë vendit”, ka thënë Gashi shkruan FaktePlus.
Megjithatë, teksa vlerëson punën e Ministrisë së Diasporës që nga themelimi i saj në vitin 2011, Liza Gashi, thotë se kjo Ministri është lënë me vetëm dy milionë euro buxhet, ani se ka grup të synuar, si grupin më të madh social, por që jeton jashtë vendit.
Madje, sipas saj, kjo Ministri nuk duhet t’i lihet partive minoritare, por të ketë fokus kryesor nga institucionet e Kosovës.
“Prandaj mendoj që edhe një strategji apo ligj pa fonde dhe pa koordinim të mjaftueshme është mjaft vështirë të implementohet siç duhet edhe nëse është shumë mirë e punuar në letër. Po ashtu, mendoj që Ministria e Diasporës nuk duhej të jetë një institucion që i jepet partisë më minoritare në koalicion, siç ka qenë rasti në të gjitha qeveritë e kaluara, mendoj që një simbolike e tillë na tregon shumë për prioritetin qeveritar që i jepet këtij institucioni”, ka theksuar ajo.
Më tutje, Gashi ka shtuar se Ministria e Diasporës, shpesh herë e ka pasur misionin e paqartë, duke u shndërruar kryesisht në shpërndarëse të mirënjohjeve.
“Që nga themelimi i Ministrisë së Diasporës, duhet të pajtohemi që misioni i saj shpesh herë ka qenë i paqartë. Ministria që nga themelimi u bë shpërndarëse kryesisht e medaljeve dhe nderimeve për organizata dhe individë të ndryshëm të Diasporës dhe organizator i disa programeve, të cilat gjithmonë vlerësoheshin si suksese, pavarësisht mungesës së metrikës dhe vlerësimeve”, theksoi Liza Gashi, shkruan FaktePlus.
Gashi ka vlerësuar se pavarësisht hapave të ndërmarra nga kjo Ministri, pjesa e investimeve strategjike ka mbetur shumë pak e prekur.
“Konsiderojmë që pavarësisht hapave të ndërmarra, pjesa e investimeve ka mbetur shumë pak e prekur nga ana e institucioneve përgjegjëse. Potencialet dhe sukseset e bizneseve jashtë vendit kryesisht janë promovuar përmes forumeve ekonomike dhe me pak oferta serioze nga ana institucionale për të nxitur investimet në atdhe. Në mënyrë që të krijohen më shumë ura bashkë-punimi dhe të kemi bashkërendim të aktiviteteve si në nivelin nacional dhe në atë lokal, ne si Germin kemi filluar formatin e forumeve për investime në nivel lokal, duke e afruar diasporën si bashkë-financuese e projekteve publiko-private”, është shprehur ajo.
Ajo vlerëson se sa më shumë përkrahje dhe privilegje që i ofrohet diasporës, aq më shumë përfitime do të ketë Kosova si shtet./FaktePlus