Shtyhet seanca fillestare për rastin Banjska, për gjykim në mungesë pritet opinioni i Supremes
Është shtyrë për 9 tetor seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve të arrestuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit një vit më parë. Shtyrja u vendos pasi avokatët e të akuzuarve Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq kërkuan më shumë kohë për të lexuar shkresën e lëndës dhe provat e Prokurorisë.
Fillimisht në seancën e nisur të mërkurën, gjyqtari Arben Hoti konstatoi se ka kushte për nisjen e shqyrtimit fillestar ndaj të pandehurve që gjenden në masën e paraburgimit. Për gjykimin në mungesë, të 42 personave të tjerë të akuzuar, do të kërkohet opinion nga Gjykata Supreme.
Paraprakisht, prokurori special, Naim Abazi, ka thënë se pjesa tjetër e grupit terrorist nuk ka mundur të kapet për t’u sjellë në gjykatë. Ai ka thënë se pavarësisht kësaj, mund të bëhet gjykimi në mungesë.
Lubomir Pantoviq, avokat i të arrestuarit Spasojeviq, ka kundërshtuar propozimin e prokurorit Abazi për gjykim në mungesë të 42 personave.
E avokati i palës së dëmtuar, Arianit Koci, ka thënë se s’ka faktorë që gjykata të vendosë të mos mbahet gjykimi në mungesë. “Siç po e shihni ky gjykim po mbahet në mungesë të 42 personave. Është specifik sepse ka vdekur polici Afrim Bunjaku dhe janë dëmtuar palët dhe të njëjtën kohë ka mundur të rrezikohet rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Gjykata duhet të vendos a të mbahet a jo, sidoqoftë duhet të merrni mendim edhe nga Gjykata Supreme”, ka thënë ai.
Gjykata po ashtu me fillim ka konstatuar që prokuroria e ka përmbushur obligimin për ofrimin e shkresës së lëndës palës së akuzuar, në mënyrë elektronike, edhe pse avokatët e të akuzuarve kërkuan që ato të dorëzohen në formë fizike.
Pas konstatimit të gjykatës se Prokuroria ka kryer obligimin për dorëzim të shkresës së lëndës, Pantoviq, avokat i njërit prej të akuzuarve, kërkoi që seanca të ndërpritet.
“Ftesën për seancë të sotme e kam pranuar të hënë pasdite. Të njëjtën ditë më është dorëzuar aktakuza dhe shkresat elektronike. Fizikisht nuk kemi pas mundësi që të njoftohemi me këtë aktakuzë voluminoze. Dhe tani kemi dëgjuar nga Prokuroria që janë me mijëra faqe. Unë nuk kam pasur mundësi që në një mënyrë adekuate me u konsultu me të mbrojturin tim dhe lidhur me çështjen e fajësisë që është sot n ërend dite. Të mbrojturit tim, aktakuza ende s’i është dorëzuar dhe nuk ka pasë mundësi ta dijë se për çka akuzohet”, ka thënë Pantoviq. “Kjo lëndë është komplekse, me akuza të rënda dhe me dokumente e prova voluminoze dhe më duhet kohë ta diskutoj me të, lidhur me çështjen e pranimi të fajësisë dhe nuk jam në gjendje që sot t’i ofroj mbrojtje të mbrojturit tim”.
Edhe avokati i Vladimir Toliqit, Milosh Deleviq, kërkoi më shumë kohë për përgatitje. “Kjo aktakuzë u përgatit për një vit dhe nuk kemi arritur ta lexojmë aktakuzën e lëre më shkresat e lëndës. Ju kërkoj më shumë kohë. Që të përgatitemi na duhet më shumë kohë”, ka thënë ai.
Prokurori Abazi i ka cilësuar të papranueshme kërkesat e mbrojtjes duke thënë se mbrojtja e ka pasur në dispozicion aktakuzën në afat të arsyeshëm.
“Nëse mbrojtja planifikon që të pandehurit do ta pranojnë fajësinë, jam që të shtyhet, në të kundërtën nuk jam që të shtyhet. Përderisa kemi dëshmi që mbrojtja e ka pas aktakuzën në afat të arsyeshëm, kërkesa është e papranueshme”, ka thënë prokurori Abazi.
E gjykatësi Hoti ka thënë se nuk mund të paragjykohet se si do të deklarohen të pandehurit dhe si rrjedhojë u vendos që kjo seancë të vazhdojë më 9 tetor.
Tre të akuzuarit që po mbahen në paraburgim që nga arrestimi, janë pjesë e rupit prej 45 personash që ishin identifikuar nga Prokuroria e Kosovës si përgjegjës të tentativës për ta aneksuar veriun e Kosovës në shtator të vitit të shkuar. Më 11 shtator, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe 44 personave të tjerë. Ata akuzohen se me dhunë e me armatim të rëndë tentuan ta shkëpusnin pjesën veriore dhe t’ia bashkonin Serbisë. Ndaj tyre rëndojnë veprat penale si “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”. Sipas aktakuzës, shteti i Serbisë ia vuri në dispozicion grupit të Radoiçiqit infrastrukturën ushtarake dhe i ofroi armë. Po ashtu, në dokument theksohet se Radoiçiqi u fuqizua duke siguruar tenderë në vlerë rreth 100 milionë euro, shumica nga shteti serb, por edhe nga buxheti i Kosovës. Rreshteri i Kosovës, Afrim Bunjaku, ishte vrarë nga ky grup terroristësh më 24 shtator 2023 në një pritë në Banjskë. Ndërsa në aksionin pasues, nga përballja e Policisë me grupin, u vranë tre sulmues e pjesa dërrmuese iku.