Shtohet prania e policisë te Gjykata Kushtetuese
Kuvendi i Kosovës sot mban seancë, ndërsa në rend dite është votimi për Qeverinë Hoti. Por tek ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë shtuar ekipet e policisë për ta monitoruar situatën.
Ndryshe, Qeveria Kurti, u rrëzua më 25 mars, pas votimit të mocionit të mosbesimit, iniciuar nga partneri i koalicionit, LDK-ja.
Ndërkaq, njoftimi për dekretimin e Hotit erdhi pasi presidenti Hashim Thaçi më 22 prill, konstatoi se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, andaj këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, si partia e dytë më së shumti vota në zgjedhjet e fundit.
Çështjen e dekretit Vetëvendosje e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Pas kësaj, Kushtetuesja më 1 maj kishte vendosur si masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.
Ndërkaq, më 28 maj Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë formimit të një qeverie të re me një votim shtatë pro dhe dy kundër dekretit të presidentit, Hashim Thaçi për mandatarin e Qeverisë, duke konstatuar se dekreti i Presidentit është në përputhshmëri me Kushtetutën.