Shtohen kërkesat e ndërkombëtarëve për adoptimin e fëmijëve të braktisur kosovarë
Ndër shqetësimet kryesore në shoqëri kohëve të fundit ka qenë edhe braktisja e fëmijëve të sapolindur. Janë bërë fushata të ndryshme vetdiëjesuese për parandalimin e kësaj dukurie. Statistikat e fundit flasin për zvogëlimin e braktisjes së foshnjave të sapolindura. Por diçka jo shumë e zakonshme për mentalitetin tonë, është fakti se janë shtuar kërkesat e ndërkombëtarëve për të adoptuar foshnja të braktisura.
Viteve të fundit është shtuar numri i kërkesave për adoptim të fëmijëve të braktisur apo pa përkujdesje prindërore në Kosovë. Përveç kosovarëve, kërkesat për adoptim janë edhe nga ndërkombëtarët. Vetëm vitin e fundit janë tri raste të tilla.
Bazuar në hulumtimet e bëra, kërkesat për adoptim janë më të mëdha sesa numri i fëmijëve që janë në pritje për adoptim, shkruan FaktePlus.
Mirvete Fazliu nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bëri të ditur se 21 fëmijë janë adoptuar gjatë vitit të fundit.
“Numri i fëmijëve të adoptuar për vitin 2017 është 21, prej tyre 18 janë adoptim vendor dhe 3 adoptim ndërkombëtar”, tha Fazliu.
Ndërsa Klejvis Vaqari nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, thotë se kërkesat për adoptim janë në shpërputhje me numrin e fëmijëve që janë në pritje për adoptim.
“Në bazë të informacioneve të organizatave anëtare të KOMF-it, numri i kërkesave për adoptim është i madh. Ai është ndjeshëm më i lartë sesa numri i fëmijëve që janë në pritje të adoptimit”, tha Vaqari.
Një tjetër problem me të cilin ballafaqohen personat e interesuar për adoptim është procedura e tejzgjatur.
Sipas Vaqarit, statusi i padefinuar i fëmijës është ndër arsyet për vendosen e fëmijës për adoptim.
“Në praktikë, proceset e adoptimit shpesh vonohen për shkak të procedurave administrative të zhvilluara nga Qendra për Punë Sociale (QPS. Për shkak se statusi i fëmijës është i padefinuar gjatë procesit të adoptimit, kjo e vonon zgjidhjen e statusit të fëmijëve, dhe për pasojë vonohet edhe vendosja e fëmijës në adoptim”, deklaroi Vaqari.
Ndryshe, në Kosovë, bazuar nga evidencat e dala prej Indeksit të Mbrojtjes së Fëmijës 2.01, që nga viti 2015 braktisja e fëmijëve ka shënuar rënie.
“Në vitin 2015 kanë qenë gjithsej 39 fëmijë të braktisur, në vitin 2016 kanë qenë 36 fëmijë të braktisur, ndërkohë që në vitin 2017 numri i këtyre fëmijëve ka rënë në 34. Megjithatë, mbetet një nevojë për të ndërhyrë në rritjen e informacionit dhe vetëdijesimit të popullatës së gjerë për ta reduktuar këtë fenomen”, theksoi tutje Vaqari.
Ndërkaq zyrtari për Informim i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Musa Demiri deklaroi se janë evidentuar 13 raste të fëmijëve të braktisur. Ndërsa, arsyet më të shpeshta për braktisjen e fëmijëve, sipas tij, vijnë nga lidhjet jashtëmartesore, shtatëzanitë e paplanifikuara dhe mungesa e përkujdesjes prindërore.
“Në bazë të raporteve nga qendrat për punë sociale, për periudhën respektive janë evidentuar 13 (trembëdhjete) fëmijë të braktisur. Këta fëmijë kryesisht janë nga lidhjet jashtëmartesore, nga shtatzëni të padëshiruara/të pa planifikuara. Nuk përjashtohen edhe rastet që edhe për arsye tjera mund të braktisen e të mbesin pa përkujdesje prindërore (në rastet e dhunës në familje, çrregullime të raporteve ndërfamiljare, neglizhimi në ushtrimin e detyrave prindërore, privimi nga e drejta prindërore etj.”, tha ai.
Procedurat e adoptimit janë të rregulluara me legjislacionin aktual. Fillimisht, personat e interesuar paraqesin kërkesën në gjykatë, pastaj gjykata e përcjell kërkesën në Qendrën për Punë Sociale, e cila edhe luan rol kryesor në realizimin e kësaj procedure.
“Personat e interesuar për adoptimin e një fëmije pa kujdes prindëror duhet të paraqesin kërkesën në gjykatë. Gjykata ka të drejtë të mbledhë të dhëna dhe dëshmi të tjera nga Autoriteti i Kujdestarisë, nga shërbimet sociale dhe ekspertë të tjerë në fushën e kujdesit ndaj fëmijëve për kushtet e adoptimit. Megjithatë, gjykata ia përcjellë kërkesën QPS-së për të dhënë vlerësimin e saj profesional për familjen. QPS kryen të gjitha veprimet, përfshirë: përgatitjen e dosjes për adoptim pas zgjidhjes së statusit ligjor të fëmijës, kryerjen e procedurave për vlerësimin e përshtatshmërisë së prindërve adoptues përmes intervistave me prindërit e mundshëm, trajnimin e familjeve të mundshme birësuese etj”, deklaroi Vaqari nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Në mesin e fëmijëve të cilët janë në pritje për adoptim, më së shumti e pësojnë ata të cilët janë më aftësi të kufizuara, bën të ditur Vaqari.
“Nga evidencat e dala prej Indeksit të Mbrojtjes së Fëmijës 2.01, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët më të rritur ose fëmijët me probleme shëndetësore pësojnë nga vonesat në procesin e adoptimit për shkak të interesimit të kufizuar nga familjet potenciale”, tha ajo.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që nga qershori i vitit 2018, i ka rritur shtesat mujore për fëmijët e braktisur. Kurse shuma më madhe u ofrohet personave të cilët adoptojnë fëmijë me aftësi të kufizuar.
“Shuma e pagesës së rregullt mujore e strehimit familjar për fëmijë pa kujdes prindëror të strehuar brenda farefisit është rritur nga 75 € në 100 €; shuma e pagesës se rregullt mujore e strehimit familjar për fëmijë pa kujdes prindëror të strehuar jashtë farefisit është rritur nga 150 € në 250 €; shuma e pagesës së rregullt mujore e strehimit familjar për fëmijë pa kujdes prindëror e me aftësi të kufizuara të strehuar jashtë farefisit është rritur nga 250 € në 350 €; shuma e pagesës fillestare për strehim familjar për të gjithë fëmijët e strehuar jashtë farefisit është caktuar 75 € dhe aplikohet vetëm një herë në muajin e parë me rastin e vendosjes se fëmijës në familje strehuese”, shtoi ai.
Bazuar në hulumtimin e Indeksit të Mrojtjes së Fëmijës 2.01, fëmijët me nevoja të veçanta janë ata që më pak adoptohen nga shtetasit e Kosovës, por këta fëmijë i adoptojnë më shumë ndërkombëtarët./FaktePlus/