Shteti që miratoi dozën e katërt të vaksinës kundër COVID-19 për grupet e rrezikuara
Izraeli ka miratuar përdorimin e dozës së katërt të vaksinës për pjesën më të rrezikuar të popullsisë ndaj COVID-19, duke u bëri vendi i parë në botë që merr këtë vendim, ndërsa përgatitet për një valë infeksionesh të shkaktuara nga varianti Omicron.
Nachman Ash, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, njoftoi vendimin gjatë një konference shtypi të enjten vonë. Ai tha se vendimi bazohet në kërkime të hershme dhe se zyrtarët do të shqyrtojnë zgjerimin e administrimit të një doze të katërt tek pjesë të tjera të publikut, ndërsa vlerësojnë situatën.
Izraeli ishte ndër vendet e para që filloi imunizimin me vaksinën Pfizer një vit më parë dhe filloi të ofronte vaksina përforcuese verën e kaluar. Megjithatë, vendi përjetoi një valë infeksionesh nga varianti Delta, ndërsa zyrtarët kanë paralajmëruar për një tjetër valë të shkaktuar nga varianti Omicron. Më herët të enjten, Izraeli mori dërgesën e parë të ilaçit që trajtonë efektet më të rënda të koronavirusit.
Izraeli është ndër vendet e para që merr ilaçin Paxlovid të komapanisë Pfizer, i cili mund të merret në shtëpi për të shmangur simptomat më të rënda të shkaktuara nga koronavirusi. Të gjitha barnat e autorizuara më parë merren përmes serumit ose injeksionit.
Kryeministri Naftali Bennett tha se dërgesa e barnave do të ndihmojë Izraelin që “të kapërcejë me sukses kulmin që po afrohet të valës së variantit Omikron”. Mediat izraelite raportuan se dërgesa e parë përbëhet nga 20,000 doza, ndërsa priten më shumë dërgesa ndërsa kompania Pfizer rrit prodhimin e këtij ilaçi. Aktualisht Izraeli ka më shumë se 20,000 pacientë, përfshirë 94 të cilët janë në gjendje të rëndë. Që nga fillimi i pandemisë në Izrael, të paktën 8,243 njerëz kanë humbur jetën nga COVID-19.