Shteti për tri vjet ua ndaloi mbi 4 mijë qytetarëve pensionet e dyfishta
Përfitimi i pensioneve të dyfishta ka dëmtuar mjaft shumë buxhetin e shtetit dhe ndër vite ka qenë një nga problematikat më të mëdha me të cilën është përballur Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), e cila që nga viti 2016, ua ka ndaluar 4 mijë e 400 qytetarëve pensionet e dyfishta.
Zyrtarë nga kjo ministri thonë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se shteti nuk posedon numër të saktë të qytetarëve të cilët gëzojnë të gjitha llojet e pensioneve.
Kjo për shkak të mungesës së marrëveshjeve për sigurime sociale me shtetet e tjera. Nga MPMS-ja kanë thënë se Kosova deri tani ka marrëveshje për sigurime sociale vetëm me Zvicrën dhe Belgjikën.
“Ministria për shkak të mos nënshkrimit të marrëveshjeve për sigurime sociale me shtetet tjera, nuk disponon numër të saktë të qytetarëve të Kosovës që marrin pensione nga shtetet e huaja. MPMS ka nënshkruar dy marrëveshje për sigurime sociale, me shtetin e Zvicrës dhe Belgjikës, të cilat janë nënshkruar nga ministri Skender Reçica. Të dyja marrëveshjet janë ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe me ratifikimin final nga shtetet përkatëse dhe hyrjes në fuqi të këtyre marrëveshjeve, qytetarët tanë do të kenë mundësinë t’i realizojnë të drejtat e tyre në fushën e sigurimeve sociale”, ka thënë zëdhënësja e MPMS-së, Mimoza Kqiku.
Në bazë të të dhënave zyrtare, shihet se qytetarët e Kosovës marrin pensione më së shumti nga shteti i Gjermanisë, dhe disa vende tjera të evropiane e botërore.
Sipas udhëzimit administrativ i nxjerrë nga ish-qeverisja e kaluar specifikon qartë se secili person duhet të zgjedhë një pension, por assesi nuk lejon që personi i njëjtë të marrë pension të dyfishtë.
Përjashtim këtu bëjnë vetëm invalidët e luftës të cilëve edhe u lejohet të punojnë dhe të marrin pensionin invalidor.
Por, nga MPMS kanë pohuar se vendimi i ish qeverisjes së kaluar për përfitimin e pensioneve të dyfishta është vetëm për personat të cilët kanë qenë pjesë e TMK-së dhe FSK-së.
“Pagesa e pensioneve të dyfishta bëhet vetëm për rastet që qytetarët janë përfitues të pensionit të TMK-së ose FSK-së, e të cilët marrin edhe një pension tjetër. Për këtë është edhe vendimi i Qeverisë. Në vitin 2016 është bërë ndërprerja e pagesës së pensioneve të dyfishta për më tepër se 4400 persona”, ka thënë zëdhënësja Kqiku.
Thuhet se janë ende rreth 300 raste të cilat qytetarët gëzojnë përfitimin e pensioneve të dyfishta.
Ndryshe, bazuar në të dhënat e institucioneve shihet se në Republikën e Kosovës janë gati 204 mijë persona apo rreth 7 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë, që marrin pensionet bazike të moshës, pensionet kontribut paguese, mandej pensionin invalidor, etj./FaktePlus