Shteti mbush arkën me gjoba të qyetarëve, brenda një muaji 1 milion euro tiketa
Policia e Kosovës është duke shqiptuar për çdo ditë gjoba për personat të cilët nuk po respektojnë udhëzimet dhe rekomandimet e Institucioneve shëndetësore ndaj COVID-19.
PK ditëve të fundit ka shqiptuar mijëra tiketa në bazë të ligjit COVID-19, ku sipas këtij ligji, personat që nuk bartin maskë dënohen me 35 euro.
Në bazë të numrit të tiketave, Policia e Kosovës për 24 orë po shqipton mbi 1 mijë tiketa e që kthyer në vlerë i bie 35 mijë euro.
Nëse bëjmë një llogaritje të lehtë, me këtë numër të tiketave për mos respektim të ligjit COVID-19, buxhetit të Kosovës për 1 javë i shkojnë rreth 250 mijë euro.
Ndërsa me numër të përafërt të tiketave të shqiptuara, për 1 muaj i bie që arkës së shtetit t’i shtohen gati 1 milionë euro nga këto gjoba, shkruan FaktePlus.
Vetëm në 24 orët e fundit Policia e Kosovës ka shqiptuar 1 mijë e 178 tiketa në bazë të ligjit COVID-19.
Kujtojmë se ligji anti COVID-19 ka hyrë në fuqi gjatë muajit gusht të këtij viti.
Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 një ditë më parë është publikuar në Gazetën zyrtare, e që rrjedhimisht ka hyrë edhe në fuqi.
Ligji për Pandeminë ka 29 nene, ndërsa rregullon çështjen e parandalimit, menaxhimit dhe kontrollit të pandemisë COVID-19.
Ky ligj po ashtu trajton masat për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, çështjen e testimit, diagnozës dhe trajtimit, pastaj prezanton organet kompetente për shqiptimin e masave ndëshkimore, çështjen e lëvizjes në oraret e përcaktuara, pastaj çështjen e aktiviteteve në ambiente private e publike, etj.
Në Ligjin për Pandeminë rregullohet edhe çështje e vaksinës kundër coronavirusit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës obligohet që të siguroj për të gjithë qytetarët vaksina të mjaftueshme kundër virusit COVID-19….. Shpenzimet për vaksinën anti COVID-19 dhe për vaksinimin e detyrueshëm i mbulon Qeveria e Republikës së Kosovës nga buxheti i Kosovës, nga donatorët apo përmes kredive që i merr Qeveria e Kosovës”, thuhet në ligj.
Neni 24 i këtij ligji rregullon çështjen e orareve të lëvizjes dhe gjobat në rast mos respektimi.
Neni 24- Lëvizja në oraret e përcaktuara
Personi juridik i cili nuk e respekton vendimin e Organit kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve në kohën e caktuar, dënohen me gjobë prej pesëqind (500) euro;
Drejtuesi i mjetit motorik i cili nuk e respekton vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të përcaktuar, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro;
Personi fizik i cili nuk e respekton Vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të caktuar, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro;
Personi juridik i cili nuk e zbaton vendimin e Organit Kompetent për krijimin e kushteve dhe mbajtjen e distancës së përcaktuar në hapësirat në të cilat janë përgjegjës dënohen me gjobë prej pesëqind (500) euro, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro.
Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej tridhjetepesë (35) euro. 6. Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e distancës fizike, dënohet me gjobë prej tridhjetepesë (35) euro.
Neni 25- Aktivitetet e caktuara në mjedise private dhe publike
Personi juridik që organizon aktivitete të ndaluara me vendim të Organit Kompetent dënohen me gjobë prej dy mijë (2000) euro dhe ndalimin e aktivitetit, ndërkaq personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë me dymijë (2000) euro;
Personi fizik i cili organizon aktivitete publike dhe jopublike të ndaluara me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro dhe ndalimin e aktivitetit;
Hyrja e personave fizik të paautorizuar në ambientet e veçanta përfshirë por pa u kufizuar në: objektet e izolimit apo karantinimit publik, privat, hapësirat shëndetësore, ku është e ndaluar hyrja/dalja pa vendim të veçantë, dënohet me gjobë prej njëqind (100) euro./FaktePlus