Shteti i gjobiti kompanitë me mbi 4 milionë, tash s’u del në ndihmë punëtorëve me 170 euro
Ndonëse shumica e punëtorëve të kompanive private i kanë marrë të ardhurat që u takojnë nga masa e tretë e Pakos Emergjente me nga 170 euro, ka edhe shumë të tjerë që janë ende në pritje.
Në mesin e këtyre janë edhe punëtorët e pikave të karburanteve të cilët nuk kanë marrë ende kompensimin e pagës me 170 euro nga Pakoja Emergjente.
Këtë e kanë treguar për FaktePlus edhe vet punëtorët e derivateve e që është konfirmuar edhe nga pronarët e këtyre bizneseve.
“Desha t’iu tregoj se të gjithë punëtorët e kompanisë së derivateve, asnjë nga punëtorët ende nuk ka përfituar nga Pakoja Emergjente e Qeveris së Kosovës për pagesë 170 euro”, ka thënë për FaktePlus ky punëtorë.
Edhe pronari i kompanisë “HIB Petrol”, Ibrahim Bucaliu, ka treguar se ka aplikuar në këtë Pako Emergjente, por që deri më tani pagesat nga Qeveria e Kosovës ende nuk janë ekzekutuar. Për çka Bucaliu thotë se nuk kanë ndonjë informatë pse nuk janë bërë këto pagesa.
” Unë kam apliku në emër të kompanisë dhe në emër të punëtoreve, si për Hib Petrol e edhe për Emerald. Mirëpo,deri më tash nuk na është pagu asnjë cent. Mundem me thënë që jemi ndër të parët që kemi aplikuar. Pse nuk është bërë pagesa s’kam asnjë informata”, ka thënë Bucaliu për FaktePlus
Fatin e njëjtë nuk e kanë dhe punëtorët e kompanisë “ShellKosova”, këta punëtorë janë ende duke pritur ndihmën prej Qeverisë.
Nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), deklarojnë se mjetet për bizneset që kanë aplikuar do të ekzekutohen gjatë këtyre ditëve.
Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa, për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka treguar ekzekutimi i parave për punëtorët tjerë do të bëhen pas verifikimeve.
“Ju informojmë se te gjitha kërkesat për përfitim nga pako emergjente pa dallim të sektorit, pas aplikimit që bëjnë përmes sistemit elektronik EDI në ATK, para se të ekzekutohen mjetet sipas masave të parapara-verifikohen nga komisioni i krijuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve, më pas mjetet ekzekutohen në llogarit bankare nga Thesari-MFT. Deri më tani janë ekzekutuar disa lista, gjatë ditëve në vijim-pas verifikimeve do të ekzekutohen edhe listat e tjera”, tha Bytyqi-Sefa për FaktePlus.
Ndërkaq sa i përket punëtorëve të derivateve, ajo thotë se ky sektor trajtohet njësoj sikurse sektorët tjerë.
“Edhe ky sektor ka trajtim të njëjtë me të tjerat”, ka thënë Bytyqi-Sefa.
Kujtojmë se gjatë kësaj jave kompanitë më të mëdha të derivateve janë gjobitur nga Autoriteti i Konkurrencës me 4 milionë euro.
Këto gjoba erdhën pasi që Autoriteti i Konkurrencës pretendon se të gjitha këto kompani kishin kurdisur çmimet e naftës.
Në një paraqitje për media kreu i AKK-së, Valon Prestreshi, ka treguar se kompanitë të cilat kanë qenë nën hetim, e kane çrregulluar konkurrencën në treg gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018. Prestreshi ka thënë se hetimi lidhur me këtë rast ka nisur në fillim të vitit 2019.
E dje Autoriteti i Konkurrencës ka bërë publike vendimet për naftarët.
Në këto publikime Autoriteti i Konkurrencës ka treguar arsyet, procedurat që janë ndjekur për secilën kompani veç e veç dhe dënimet që kanë shqiptuar ndaj tyre./FaktePlus/