Shteti e mbron me ligj ariun e murrmë, por nuk kompenson dëmet e tij
Gati i gjithë shteti u ngrit në këmbë, duke angazhuar edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, por ariu i murrmë që bëri disa dëme kohë më parë në fshatrat e komunës së Prizrenit, ende nuk është kapur. E ariu ka rrezik që sërish të shkaktojë ndonjë dëm, por asnjë institucion nuk po merr përgjegjësi që të bëjë kompensimin e dëmeve.
Institucionet qendrore e lokale në disa raste kanë ndarë mjete për kompensimin e pjesshëm të dëmeve natyrore të shkaktuara në bujqësi. Por, për dëmet që i shkaktoi ariu i murrmë askush nuk po merr përgjegjësi dhe nuk ka ndarë mjete.
Kështu Ramell Demirit nga fshati Pouskë i Prizrenit që më 30 mars të këtij viti, ariu ia mbyti 28 copë dele, kurse Tusun Krasniqit iu dëmtuan mbi 5 koshere me bletë, nuk do të kenë asnjë lloj kompensimi nga institucionet shtetërore.
Ariu i njëjtë pak ditë më parë ka zbritur sërish në fshatin Pouskë ku dyshohet se ka mbytur edhe tetë dele të tjera, dy qengja, ndërsa edhe gjashtë dele të tjera janë të humbura, shkruan FaktePlus.
E komuna e Prizrenit, Ministria e Bujqësisë, si dhe Ministria e Mjedisit kanë konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se nuk do të ketë kompensim për qytetarët që pësuan humbje nga kafsha e cila mbrohet me ligj nga shteti.
Zyrtarë nga komuna e Prizrenit thonë se lidhur me dëmet e ariut kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë ligjore që u takojnë, duke formuar një komision për vlerësimin e dëmeve që janë shkaktuar.
“Lidhur me çështjen në fjalë, Komuna e Prizrenit ka formuar një komision për vlerësimin e dëmeve që janë shkaktuar nga ariu. Ky komision ka dorëzuar raportin vlerësues tek Ministria e Mjedisit,- Agjencioni i Mjedisit dhe Agjencioni Pyjor. Komisioni ka qenë në vendin e ngjarjes në fshatin Pouskë dhe në lagjen Tusuz të Prizrenit, dhe i ka pranuar të gjitha ankesat e paraqitura nga banorët e këtyre dy lokacioneve”, thuhet në përgjigjën e komunës së Prizrenit dhënë për FaktePlus.
Sipas tyre, bazuar në Ligjin nr.03/L-233 për Mbrojtjen e Natyrës, Komunës nuk i takon të bëjë kompensimin e dëmit të shkaktuar nga kafshët e egra dhe kjo shpjegohet qartë në nenin 117 dhe 120 të këtij ligji.
Arsyetim të njëjtë kanë pasur edhe nga Ministria e Bujqësisë, e cila ka treguar se ka bërë vetëm mandatimin e komisionit vlerësues të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore elementare, por jo edhe nga dëmet e shkaktuara nga egërsirat siç është “Rasti Ariu”.
Sipas tyre, ariu i murrmë bazuar në legjislacionin nacional bie në përgjegjësitë e Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka mandatuar Komisionin e vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore elementare, por jo edhe nga dëmet e shkaktuara nga egërsirat siç është “Rasti Ariu”. Sipas legjislacionit nacional, ariu i murrmë është në përgjegjësitë e Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) pasi është specie e mbrojtur me ligj, dhe për këtë gjë ne nuk kemi informatat se si procedohet për dëmet e shkaktuara nga kafshët e egra, të cilat klasifikohen si specie e mbrojtur. Ju sugjeroj që lidhur me këtë rast, duhet t’i drejtoheni zyrtarëve përgjegjës të MMPH-së”, thuhet në përgjigjën e Ministrisë së Bujqësisë.
E zyrtarët nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të apostrofuar si kompetent për zgjidhjen e çështjes së dëmit nga ariu, kanë bërë të qartë se kompensim nuk do të ketë.
Sipas tyre, Udhëzimi Administrativ Nr. 15/2014 nuk parasheh kompensim për llojet e mbrojtura siç është ne këtë rast ariu i murrmë, por vetëm për llojet e egra të shtazëve strikt të mbrojtura.
“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 15/2014 nuk parasheh kompensim për llojet e mbrojtura siç është ne këtë rast ariu i murrmë, por vetëm për llojet e egra te shtazëve strikt të mbrojtura. Prandaj në këtë rast Ministria nuk ka bazë ligjore të bëjë kompensimin e dëmeve nga llojet e mbrojtura”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie dhënë për FaktePlus.
Ariu i murrmë është kafshë e cila nga viti 2012 është e ndaluar me ligj të vritet në Kosovë. Pra, kjo kafshë është e mbrojtur me ligj.
Ariu i murrmë (ursus arctos) është një prej kafshëve që gjendet gati në secilin kontinent të botës. Është një ndër anëtarët më të mëdhenj tokësor të rendit Carnivora, e për këtë rival e ka vetëm të afërmin e tij, ariun polar./FaktePlus