Shteti e lë në harresë Nezir Mehmetajn, kosovarin e arrestuar që katër muaj nga Serbia
Po bëhen gati katër muaj që nga arrestimi i kosovarit, Nezir Mehmetaj. Që nga fillimi i muajit janar, Mehmetaj po qëndron i burgosur në Serbi. Akuzat e shtetit serb janë të bazuara në vetëm një deklaratë të një gruaje rome, lidhur me dyshimet për krime lufte. Ndërkaq, shteti e ka lënë në harresë krejtësisht rastin në fjalë.
Kanë kaluar më shumë se tre muaj e gjysmë që prej se Nezir Mehmetaj, një qytetar i Kosovës nga Klina e që jeton në Zvicër u arrestua nga autoritetet serbe në Merdare, shkruan lajmi.net.
Serbia po e mbanë në burg Mehmetajn, teksa për këtë veprim të saj nuk ka as fakte të bazuara. Autoritetet atje po e marrin për bazë vetëm një deklaratë të një gruaje rome.
Vëllau i Nezirit, Valoni për lajmi.net ka thënë se ai dhe familja e tij, pavarësisht neglizhencës së shtetit, nuk do të ndalen deri në lirimin e Mehmetajt.
“Ne nuk kemi çfarë të flasim më shumë. Duhet t’i drejtoheni shtetit dhe presidentit dhe po ashtu opozites që po e bejne situaten lëmsh, tani kur populli ka nevojë për qeverisje stabile. Ne si familje nuk heqim dorë deri tek realizimi i lirimit të vëllaut tonë”, ka thënë Mehmetaj.
Mehmetaj tutje shprehet i indinjuar me mos-reagimin dhe mos-ndërmarrjen e veprimeve nga autoritetet kosovare.
Siç shprehet ai, nuk është bërë asnjë reagim apo veprim serioz nga shteti në këtë drejtim, përveç deklaratave mediale.
“Gjykata dhe shteti i Serbisë, nuk po i merr për bazë reagimet e politikës kosovare dhe ndërkombëtare, të cilët po bëjnë vetëm deklarata mediale. Pra, nuk ka asnjë formë presioni real dhe reagim konkret e serioz, por ne dhe familja jonë me punën e pandalshme përmes mbrojtjes jua kemi demantuar dëshmitë e pushtetit atje, të supozuara kinse ka kryer krime lufte. Ata do e lirojnë Nezirin vetëm përmes procedurave të tyre, atëherë kur atyre t’u bëhet mjaft”, ka thënë Valon Mehmetaj, vëllau i Nezirit që po mbahet në burgjet serbe.
Valoni ka folur pak edhe për gjendjen e Nezirit, për të cilin thotë se i kanë dhënë leje vetëm pas tre muajve për të biseduar në telefon. Gjatë asaj bisede telefonike, Nezir Mehmetaj u ka thënë familjarëve që është në gjendje të mirë.
Reagimi i fundit shtetëror lidhur me rastin e Nezir Mehmetajt ishte ai i 14 marsit, ku ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, kërkoi nga shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, të përdorë autoritetin e tij për lirimin e Mehmetajt.
Ndryshe, Mehmetaj ishte arrestuar në orët e mëngjesit në pikën kufitare të Merdares.
Atë ditë, ai ishte nisur për Nish bashkë me nënën e tij për një vizitë mjekësore. Për tri orë me radhë, familjarët e Mehmetajt kishin pritur në Merdare për të marrë informacione për ndalimin e Mehmetajt, por që të njëjtat nuk i kishin marrë.
Ndërkohë, shteti serb po vazhdon ta mbajë Nezir Mehmetajn pa asnjë arsyetim në burg.