Shteti biznes klasë – biletat gjashtë herë më shtrenjtë se ato ekonomike
Me bileta të klasit të parë udhëtojnë zyrtarët e institucioneve të shtetit të Kosovës. Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se disa prej tyre kanë shpenzuar disa herë më shumë për bileta të fluturimeve sesa që ishte parashikuar fillimisht. Madje në raportin e auditimit të performancës “Kontratat e centralizuara – Shërbimet e transportit ajror”, ZKA-ja ka thënë se institucionet kanë blerë deri në gjashtë herë më shtrenjtë bileta sesa çmimet që ishin për biletat e klasës ekonomike.
Auditimi ka mbuluar periudhën trivjeçare 2016-2019. Janë audituar një numër i konsiderueshëm i furnizimeve me bileta në institucione si Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, ajo e Mjedisit, Komuna e Gjilanit, Gjakovës, Vushtrrisë dhe Suharekës. ZKA-ja ka thënë se faktorët kryesorë që ndikuan në rritjen e vlerës së shpenzimeve për shërbime të transportit ajror janë udhëtimet në biznes klasë, shtyrjet e udhëtimeve dhe anulimet e udhëtimeve.
Gjetjet vënë në pah se për 36 muaj këto institucione të lartcekura kanë parashikuar blerjen e 11 mijë e 933 biletave me çmim mesatar prej 400 eurosh. Vlera totale, sipas parashikimeve, kapi shifrën prej 4 milionë e 773 mijë eurosh. Megjithatë, parashikimi s’doli i saktë. Për këtë periudhë u shfrytëzuan 279 bileta më pak se pritja, por çmimi ishte më i lartë për biletë të blerë – 26 për qind më shtrenjtë. Kjo bëri që këto institucione të shpenzonin plot një milion e 94 mijë euro më shumë për bileta të avionëve në raport me parashikimet.
ZKA-ja ka raportuar për 212 bileta të cilat ishin të klasës më të lartë se ajo ekonomike e që në total kushtuan rreth 353 mijë euro, por edhe për klasa të tjera Premium ekonomike (20 për qind më shtrenjtë se klasa ekonomike).
Nga Ministria e Punëve të Jashtme janë identifikuar 147 bileta të klasave më të larta se ajo ekonomike, nga 928 bileta total sa ishin blerë nga ky institucion. Mesatarja e një bilete kapi vlerën e 1860 euro.
“Shuma e rimbursimit për biletat e anuluara ishte mesatarisht rreth 59% e çmimit blerës. Kjo nënkupton se rreth 41% e vlerës së biletave të anuluara janë shpenzime për bileta që nuk janë shfrytëzuar, gjë që ka kontribuar në rritjen e shpenzimeve të përgjithshme të kontratave për shërbime të transportit ajror duke i quar në skadim të parakohshëm”, thuhet në raport.
“Rezultatet e këtij procesi të auditimit tregojnë se ka nevojë për përmirësime në procesin e furnizimit me shërbime të transportit ajror. Për të eliminuar mangësitë e identifikuara, duhet të ndërmerren veprime në nivel qeveritar, duke rishikuar Udhëzimin Administrativ, ku do të rregullohej përdorimi i klasave tjera të udhëtimit në transport ajror”, ka thënë auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.
Rekomandimi kryesor i ZKA-së për këtë rast ka qenë që Qeveria e Kosovës të rishikojë Udhëzimin Administrativ për të adresuar çështjen e klasave të lejuara të udhëtimit në transport ajror. Është rekomanduar që të shfrytëzohet klasa ekonomike për të shmangur shpenzimet.