Shtetet evropiane paralajmërojnë festa të zymta në fundvit
Disa shtete në Evropë kanë paralajmëruar qytetarët e tyre se është herët që të planifikojnë udhëtime për festat e fundvitit, pasi rritja e rasteve të reja me koronavirus po vazhdon në kontinent.
Në Suedi, njerëzve u është thënë të përgatiten për ndalime të udhëtimeve në periudhën e festave.
Ndërkohë, në Irlandë e Francë autoritetet kanë thënë se është shumë herët për të treguar nëse njerëzit do të mund të caktojnë udhëtime.
Me gjashtë javë të mbetura deri në festat e fundvitit, mbylljet dhe masa të tjera po vazhdojnë në disa shtete.
Portugalia ka futur shumicën e shtetit në orë policore, ndërsa Suedia po bëhet gati për mundësinë e ndalimit të udhëtimit në hapësira të caktuara gjatë festave.
“Suedezët duhet të bëhen gati që gjërat mund të ndryshojnë pikërisht para Krishtlindjeve”, ka thënë epidemiologu kryesor i Suedisë, Anders Tegnell.
Ndërkaq zëvendëskryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, ka thënë se nuk do t’u preferonte qytetarëve irlandezë të udhëtonin jashtë vendit, pasi “është shumë herët” për këshilla të tilla.
Deklaratë të ngjashme ka dhënë edhe kryeministri i Francës, Jean Castex. Ai ka vlerësuar se është herët që të thuhet nëse njerëzit mund të blejnë bileta treni për të udhëtuar për Krishtlindjet.
Ai ka shtuar se s’do të ketë lehtësim masash për të paktën edhe dy javë. Nën masat e izolimit, francezët mund të dalin nga shtëpitë vetëm për punë, ose për gjërat elementare.
Në Francë deri tash janë regjistruar 1.9 milionë raste të konfirmuara me COVID-19. Të enjten, shteti regjistroi 32 mijë të hospitalizuar, 350 më shumë se piku i arritur në prill.
Në Itali, ku shumica e shtetit është e mbyllur, ka thirrje për shtrëngrim masash. Të enjten u regjistruan 636 vdekje. Ministri i çështjeve rajonale, Francesco Boccia, ka thënë se njerëzit duhet të festojnë festat e fundvitit vetëm me anëtarët e familjes.
Në gjithë botën deri tash janë regjistruar 52 milionë raste me COVID-19, ndërsa kanë vdekur 1.2 milionë persona.