Shtetet e Bashkuara shënojnë rekord të rasteve ditore me COVID-19 – mbi 100.000
Gjatë 24 orëve të kaluara, në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar mbi 100.000 raste të reja të koronavirusit, që është shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë.
Rritja rekorde i ka vënë spitalet në prag të mbushjes së kapaciteteve, vetëm katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, shkruan Reuters.
Vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit, në Shtetet e Bashkuara u thye pesë herë rekordi i rasteve të reja. Rekordi i mëparshëm u shënua të enjten me 91.248 raste për 24 orë.
Shifra e re është njëkohësisht rekordi më i lartë që një shtet e ka shënuar deri në tani në tërë botën. Rekordi i mëparshëm i këtij lloji ishte shënuar në Indi në shtator, kur për 24 orë ishin regjistruar 97.894 raste.
Së paku dhjetë shtete të ShBA-së raportuan shifra rekorde të rasteve të reja. Ky shtet vazhdon të mbetet i pari në botë me më së shumti të infektuar dhe viktima dhe duket se nuk do të lëvizë nga kjo pozitë edhe për një kohë të konsiderueshme, duke e marrë parasysh gjendjen e tanishme.