Shtetet baltike: Kriza në Bjellorusi është rrezik për përleshje ushtarake
Shtetet fqinje të Bjellorusisë të enjten shprehën shqetësim se kriza me emigrantët që po mundohen të futen në Bashkimin Evropian mund të eskalojë në përleshje ushtarake.
Lituania, Estonia e Letonia e dënuan atë që e cilësuan “eskalim të qëllimshëm të sulmit të vazhdueshëm hibrid nga regjimi bjellorus, që po paraqet kërcënime serioze ndaj sigurisë evropiane”, duke iu referuar akuzave se Bjellorusia po i përdor emigrantët si armë.
“Kjo e rrit mundësinë e provokimeve dhe incidenteve serioze, që gjithashtu do të mund të eskalojë në sferën ushtarake”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrave të Mbrojtjes të Lituanisë, Letonisë e Estonisë, shkruan Reuters.
Autoritetet në Varshavë thanë të enjten se emigrantët e bllokuar në Bjellorusi hodhën gurë dhe degë drurësh në drejtim të rojave kufitare polake dhe përdorën trungje në përpjekje për ta prishur rrethojën e mprehtë gjatë natës në përpjekje të re për t’u futur në territorin e BE-së.
Bashkimi Evropian mund t’i vendosë sanksione të reja Bjellorusisë që nga e hëna, pasi e akuzoi këtë vend për organizimin e një sulmi hibrid ndaj bllokut duke inkurajuar mijëra emigrantë të ikur nga vendet në konflikt për të hyrë në BE.