Shtëpia e El Chapos fitohet në lotari
Ish-mbreti i drogës po vuan dënimin e përjetshëm në SHBA.
Qeveria meksikane hodhi në lotarinë kombëtare shtëpinë e përdorur nga ish-mbreti i drogës Joaquin “El Chapo” Guzman.
Në hedhjen e lotarisë të mbajtur në Mexico City, u shitën gjithsej 22 prona, shumë prej të cilave i përkisnin krimit të organizuar.
Numri i biletës 1 438 619 fitoi shtëpinë e sigurt të Guzman në Culiacan, rreth 1 200 kilometra në verilindje të Mexico City.
Shtëpia, e cila kishte një tunel shpëtimi të fshehur nën një vaskë, luajti një rol kyç në një operacion të dështuar për të arrestuar udhëheqësin e kartelit “Sinaloa” më 17 Shkurt 2014.
Guzman përfundimisht u kap pesë ditë më vonë. Lotaria u organizua nga qeveria e presidentit Andres Manuel Lopez Obrador, i cili ishte përpjekur disa herë të nxirrte në ankand pronën prej 261 metra katrore.
El Chapo, i cili aktualisht është 64 vjeç dhe po vuan një dënim të përjetshëm në SHBA ishte i famshëm për arratisjet e tij. Ai u arratis nga burgjet e sigurisë së lartë dy herë.