Shtatzëna që dje u shërua nga koronavirusi sonte lindi
Pacientja shtatzënë, që dje rezultoi e shëruar nga koronavirusi, ka lindur gjatë natës së sontme.
Këtë e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK dr.Jakup Ismaili.
Ai ka thënë se lindja ka qenë normale dhe se gjithçka ka shkuar shumë mirë, derisa edhe nëna edhe foshnja e posalindur janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore.
“Pacientja ka lindur para dy orësh, diku rreth orës 20:00. Gjithçka ka shkuar shumë mirë. Edhe nëna edhe foshnja janë shumë mirë”.
Ismaili ka thënë se pacientja që ishte shtatzënë ka rezultuar negative edhe në testimin e dytë që i është bërë dje, prandaj mund të konsiderohet se ishte e shëruar nga koronavirusi.