Shtatë pacientë të shëruar nga koronavirusi në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka bërë të ditur se sot janë shëruar shtatë pacientë si dhe janë regjistruar pesë raste me Coronavirus në vendin tonë.
Sipas IKSHPK-së, ka shkuar në 140 numri i të infektuarve në vendin tonë, ndërkaq 23 pacientë janë shëruar nga Covid-19.
Rastet pozitive janë raste kontakti, 2 prej të cilave janë me vendbanim në Banjë -Malishevë, 1 me vendbanim në Prishtinë, 1 me vendbanim në Smrekonicë-Vushtrri dhe 1 e karantinuar.
“Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 128 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, pesë(5) prej tyre kanë rezultuar pozitive.
Sot me 04.04.2020, janë të shëruar edhe shtatë (7) pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri me sot është njëzet e tre (23).