Shtatë anëtarë të Prishtinës dalin pozitivë për koronavirus
Klubi i futbollit Prishtina ka njoftuar se shtatë pjesëtarë të klubit kanë rezultuar pozitivë për koronavirus.
Klubi ka njoftuar se nga 34 persona të testuar, pozitivë kanë rezultuar tre futbollistë dhe katër anëtarë të stafit të ekipit. Një nga futbollistët me rezultat pozitiv për koronavirus është 17-vjeç.
“FC Prishtina e priste një rezultat të tillë dhe ky testim i duhej që skuadra të ishte sa më e sigurt para ndeshjeve të Evropës. Të gjithë të infektuarit nuk kanë simptome të theksuara dhe nuk kanë udhëtuar me skuadrën në Istog ku sot në mëngjes mbajti seancën e parë stërvitore”, thuhet në njoftim. “Të infektuarit pritet të ritestohen sërish pas pak ditësh, sepse konsiderohet që të gjithë janë në fund të procesit të infektimit dhe afër shërimit të plotë”.
Prishtina ka njoftuar se para ndeshjes në Evropë do t’i vazhdojë përgatitjet në fushën e Istogut deri më 17-18 gusht, deri sa kundërshtarin në ndeshjen paraeliminatore e mëson më 9 gusht, kurse ndeshjen e zhvillon me 20 gusht varësisht shortit.