Shqiptohen gjobat e para ndaj partive për ndotje të ambientit
Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës ditë më parë u ka bërë thirrje partive politike që të mos ndotin ambientet me fletushka të fushatës zgjedhore, sepse në të kundërtën do të përballen me ligjin dhe do të dënohen.
Shefi i Inspeksionit në Prishtinë, Adonis Tahiri ka njoftuar për disa raste të shqiptimit të gjobave ndaj subjekteve.
Ai tha se ka ende ka subjekte apo koalicione që po e kërkojnë votën edhe nëpërmjet shpërndarjes së fletushkave, pra duke i ndotur hyrjet kolektive, njësoj sikur bizneset.
Në këtë rast, Tahiri ka theksuar se kudo dhe kurdo që hasen nga inspektorët, veprimet e tilla do të dënohen, dhe do të përcillen edhe në PZAP për gjoba edhe më të larta.
“Vlen të theksohet se në Prishtinë ka shumëfish më pak raste sesa në komunat tjera. Kjo nënkupton që nuk ka ngritje të vetëdijes për ruajtje të mjedisit, por rritje të vigjilencës për minimizim të gjobave. Të gjitha rastet do të publikohen, pa përjashtim”, ka shkruar në rrjetin social Tahiri./FaktePlus