Shqiptarëve në Itali pritet t’iu njihen pensionet
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, këtë të hënë ka bërë të ditur se Parlamenti italian ka përfshirë në projekt-buxhetin e Italisë për vitin 2022 edhe një amendament për nisjen e procesit të njohjes faktike të pensionve të shqiptarëve me kontribute pune atje.
Rama tha se kjo u arrit në vazhdën e komunikimit me qeverinë italiane dhe partitë politike, teksa shtoi se këto kontakte do të vazhdojnë deri në aprovimin përfundimtar të projekt-buxhetit për vitin 2022.
“Vazhdojmë kontaktet deri në aprovimin përfundimtar të projekt-buxhetit 2022 dhe me këtë rast u shpreh mirënjohjen në emër të shqiptarëve në Itali, kryeministrit Mario Draghi, ministrit të jashtëm Luigi di Maio, të cilët janë angazhuar personalisht për ta zgjidhur këtë çështje kaq jetike për aq shumë shqiptarë të mirë në Italinë mike, si edhe të gjithë të tjerëve që dashamirësisht janë përfshirë në këtë përpjekje të përbashkët”, shkroi Rama në llogarinë e tij në Facebook.