Shqipëria nën monitorimin e Bashkimit Evropian
Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë në Komisionin Europian, Johannes Hahn, thotë se ligjet për të drejtat e pronës në Shqipëri kanë dobësi ligjore dhe teknike.
“Problemet që kanë të bëjnë me të drejtat e pronës janë në fakt një çështje komplekse dhe e vjetër në Shqipëri, që shkon pas në vite, në kohën e rënies së regjimit komunist. Përmbyllja e sigurisë ligjore dhe qartësia e titujve të pronësisë nuk është arritur ende plotësisht, pavarësisht nga vazhdimi i përpjekjeve për arritjen e tyre”, tha Hahn.
Hahn shtoi se të drejtat e pronësisë po monitorohen nga BE si pjesë e kuadrit të të drejtave themelore të njeriut.
“Copëzimi, fragmentarizimi ligjor, zbrazëtitë në sistemin e regjistrimit dhe zbatimin e ligjit në këtë fushë mbeten të adresohen në të gjithë vendin. Komisioni Europian është i vetëdijshëm për shqetësimet ndaj vendimeve të fundit, të miratuara nga qeveria shqiptare, lidhur me menaxhimin e tokës përgjatë zonës jugore bregdetare dhe vazhdon të angazhohet me autoritetet kompetente në këtë drejtim. Të drejtat e pronësisë po monitorohen nga BE si pjesë e kuadrit të të drejtave themelore të njeriut. Komisioni Europian po shqyrton mundësitë ta mbështesë Shqipërinë në trajtimin e situatës problematike lidhur me të drejtën e pronës, në linjë me standardet ndërkombëtare”, ka shtuar ai në një intervistë për DW.
“Çështjet e pazgjidhura në këtë fushë kanë një efekt negativ në të drejtën e individit ndaj pronës dhe në gëzimin paqësor të saj, duke përfshirë edhe privimin e mundshëm të pronarëve legjitimë nga prona, toka e tyre. Për më tepër, ato mund të kontribuojnë në një “efekt ngrirës” mbi investimet e aktorëve të biznesit dhe të krijojnë një premisë për informalitetin, duke përdorur vakuumet në zbatimin e ligjit”, u shpreh Hahn. /FaktePlus