Shqipëria i mbylli, e Kosova fiton miliona
Bixhozi dhe lojërat e fatit vazhdojnë të frekuentohen mjaft shumë nga qytetarët në thuajse në gjithë botën. Edhe në Kosovë në qindra lokalet e licencuara të këtij lloj biznesi derdhet para e madhe nga qytetarët dhe shteti i Kosovës si taksë për këtë veprimtari merr miliona euro.
Deri në fund të këtij viti, Republika e Shqipërisë është zotuar se do të mbyll të gjitha lojërat e fatit. Përkundër këtij veprimi të shtetit shqiptar, ky biznes vazhdon të lulëzoj në shtetin e Kosovë, duke i sjellë edhe leverdi në miliona në mbushjen e arkës.
Të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dërguar Agjencisë së Lajmeve FaktPlus tregojnë se të hyrat nga tatimet e ndryshme të bizneseve të lojërave të fatit, siç janë tatimi në qira, tatimi në paga, si dhe tatimi në këstet tremujore të të hyrave për periudhën Janar-Shtator 2018, totali është 791,842.32 euro.
Të hyrat nga gjobat e lëshuara për vitin 2017 janë 1,281,250.00 euro, kurse për periudhën janar-tetor 2018 gjobat e lëshuara kanë shënuar rritje, ose janë fiks 1,545,750.00 euro.
Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi – Sefa ka thënë për FaktePlus se pagesa e akcizës për lojëra të fatit për periudhën janar-shtator 2018 është 9,037,459.82 euro, kurse për periudhën janar-shtator 2017 pagesa e akcizës ishte 11,754,125.44 euro.
“Lojërat e fatit emërtohen në veprimtarin e basteve, në veprimtarin e automateve, si dhe në veprimtarin e tombolla bingo në lokalet e mbyllura. Subjekte të licencuara në veprimtarin e basteve janë 23 subjekte ku si njësi/lokale të licencuara janë 280 lokale me vendime nga ATK-ja”, ka thënë Bytyqi – Sefa.
Sipas ATK-së, subjektet në veprimtarin me automate janë 15, kurse numri i lokaleve me automate është 119 lokale dhe gjithsej numri i automateve është 1427 copë, ndërsa numri i ruletëve është 42 copa. Ndërsa tombolla bingo në lokale të mbyllura janë gjithsej 8 subjekte.
Afër 400 biznese të regjistruara
Zyra për informim e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka ofruar të dhënat e regjistrimit të këtyre bizneseve në Kosovë. Të dhënat e dërguara për FaktePlus tregojnë se aktualisht në Kosovë janë të regjistruara 394 biznese të lojërave të fatit.
Me mbushjen e tregut sivjet ka rënë numri i regjistrimit të këtij lloj biznesi. Vitin e kaluar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve janë regjistruar 21 biznese të reja, e në këtë vit janë regjistruar vetëm 7, kurse në 2016 janë regjistruar 17 sosh. Ndërsa më së shumti biznese të lojërave të fatit janë regjistruar në vitin 2011, gjithsejt 58 të tilla.
Për më shumë shih tabelën:
Sipas të dhënave të zyrës së Informim të MTI-së, keq nuk qëndrojnë as pronarët nga Shqipëria, të cilët posedojnë këso biznese në Kosovë. Janë 19 biznese të regjistruar me pronarë nga Shqipëria në Kosovë. Prej tyre 2 biznese me pronarë nga Shqipëria janë regjistruar sivjet, ndërsa vitin e kaluar 4.
Për më shumë shih tabelën:
ATK-ja tregon se çdo subjekt i cili është i licencuar mbikëqyrët nga ATK-ja sipas ligjit 04/L-080 dhe Udhëzimi Administrativ 03/2013.
Subjektet e lojërave të fatit janë të obliguar të paguajnë këto taksa dhe tatime:
-Pagesë të licencave bazë, si dhe licencë për zgjerim aktiviteti në baste dhe në automate.
-Pagesë të akcizës e cila është mujore dhe i paguhet Doganës.
-Pagesë për Tatimin e Mbajtur në Burim për pagat e punëtorëve, si dhe tatimin në qira.
-Pagesë për Tatimin në Fitim sipas deklaratës vjetore.
Bixhozi dhe lojërat e fatit vazhdojnë të frekuentohen mjaft shumë nga qytetarët në thuajse gjithë botën. Sipas disa hulumtimeve, tajlandezët janë numër një në botë që luajnë në lojëra të fatit, e në vend të dytë janë turqit, kurse vendin e tretë e kanë ballkanasit, duke hyrë këtu edhe shqiptarët./M.Buzhala-FaktePlus/