Shqetësuese, rastet e trafikimit të fëmijëve në Kosovë
Sfidë për institucionet e sigurisë dhe hetuesisë vazhdon të mbetet dukuria e trafikimit me qenie njerëzore. Pavarësisht se Kosova nuk është parë si ‘vatër’ e trafikimit krahasuar me vende të tjera të botës, ky fenomen vazhdon të mbetet shqetësues, në një vend që edhe ashtu ballafaqohet me shumë probleme në fushën e sigurisë e drejtësisë. Në këtë vit është shënuar një rritje e lehtë rasteve të trafikimit me qenie njerëzore. E problematike konsiderohet edhe dukuria e trafikimit me fëmijë.
Gjatë këtij viti janë evidentuar 18 raste të trafikimit me qenie njerëzore. Kështu kanë bërë të ditur për FaktePlus nga Policia e Kosovës.
“Në këtë vit janë evidentuar 18 raste të trafikimit me qenie njerëzore, raste të cilat janë dorëzuar me kallëzim penal në prokuroritë përkatëse”, pohojnë nga Zyra për Informim e Policisë.
Krahasuar me vitin e kaluar ky numër është më i madh, sepse gjatë tërë vitit 2018 kanë qenë 15 viktima të trafikimit.
Sivjet të arrestuar si të dyshuar që kanë kryer veprën penale të trafikimit me qenie njerëzore janë 28 persona, ndërsa duke ia shtuar edhe vepra të tjera që lidhen me trafikim, janë gjithsej 191.
“Gjithsej janë të arrestuar 191 persona të dyshuar për veprat penale të trafikimit me qenie njerëzore dhe veprave tjera që ndërlidhen me trafikimin, ndërsa vetëm për rastet e trafikimit me qenie njerëzore janë të arrestuar gjithsej 28 persona”, tregojnë nga Policia.
Ndërsa gjatë tërë vitit të kaluar, kanë qenë të arrestuar 263 persona të dyshuar për kryerjen e veprës së trafikimit me qenie njerëzore dhe vepra të tjera të ndërlidhura me këtë dukuri.
Sipas policisë, mënyrat e trafikimit kryesisht bëhen përmes rekrutimit me premtime të rrejshme, mbajtjes nën kontroll përmes shantazheve e kërcënimeve dhe mjeteve të tjera me qëllim të shfrytëzimit, ku më të përdorurat sipas tyre janë shfrytëzimi për shërbime seksuale apo prostitucion i detyruar.
Policia ka ndërmarrë operacione të ndryshme në funksion të parandalimit e dënimit të këtij fenomeni.
“Policia e Kosovës, respektivisht drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore ka marrë një numër të madh të operacioneve me qëllim të identifikimit të hershëm të viktimave. Nga këto operacione po i veçojmë ato të kontrollimit të salloneve të masazhit, kontrollimin e lokaleve (klubeve të vallëzimit), kontrollimin e moteleve si dhe planet tjera operative që për qëllim kanë pasur identifikimin e viktimave të trafikimit në mesin e fëmijëve lëmoshëkërkues”, thuhet në përgjigje.
Të angazhuar për mbrojtjen e viktimave të trafikimit janë edhe organizata të ndryshme joqeveritare.
Nga Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit, kanë thënë FaktePlus se 17 persona kanë gjetur gjatë këtij viti mbrojtje në këtë qendër.
“QMVPT ka mbështetur në periudhën janar-dhjetor 2019 17 përfituese (Viktima/viktima potenciale të trafikimit dhe fëmijë në rrezik për t’u trafikuar). Mbrojtjen e tyre e bëjmë përmes strehimit, rehabilitimit dhe riiintegrimit”, kanë thënë nga kjo organizatë.
Sipas QMVPT-së, Qeveria duhet të sigurojë fonde të qëndrueshme për ofruesit e shërbimeve në mbështetjen e viktimave të trafikimit.
E kategori më të prekura nga trafikimi mbeten gratë dhe fëmijët. Për këta të fundit, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve i ka bërë të ditur për FaktePlus, gjatë periudhës janar-nëntor janë shënuar 19 raste të trafikimit me fëmijë.
Nga kjo organizatë që merret me sigurimin e strehimit, rehabilitimit, mbrojtjes dhe riiintegrimin e viktimave fëmijë të trafikimit, kanë bërë të ditur se vazhdimisht kanë avokuar këtë çështje e bërë thirrje edhe tek institucionet për të punuar më shumë në parandalimin e këtij fenomeni.
“Në të gjitha aktivitete e KOMF, fokusi ka qenë shmangia e rrezikut të vazhdueshëm përballë të cilit gjenden fëmijët viktima të trafikimit. Gjithashtu KOMF është fokusuar edhe drejt institucioneve të mandatuara në këtë drejtim, për të zbatuar sanksionet, si dhe për të punuar më shumë në fushën e parandalimit të kësaj dukurie”, thuhet në përgjigjen e KOMF-it.
Në të dhënat që FaktePlus i ka siguruar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për periudhën janar-shtator të këtij viti, shihet se për veprën penale “Dhunimi”, nga tri lëndë të zgjidhura, në të trija ka pasur dënim me burgim.
Për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nuk ka pasur asnjë lëndë në punë e asnjë të dënuar.
Për veprën penale “Degradimi i integritetit seksual”, gjatë kësaj periudhe kanë qenë 5 lëndë në punë. Prej tyre, vetëm një lëndë është zgjidhur e aty verdikti ka qenë dënim me kusht.
Ndërsa për veprën penale “Sulm seksual” janë gjithsej 63 lëndë në punë. Në 2 lëndë ka pasur dënim me burgim, në 2 të tjera me gjobë kurse në 1 rast, dënim me kusht. Në 2 raste dënimi është parashkruar në mënyrë absolute kurse në 2 raste është zgjidhur “në mënyrë tjetër”.
Për veprën penale “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion” për këtë periudhë shtatëmujore, janë 75 lëndë në punë. Në 6 lëndë ka pasur dënim me burgim, në 3 lëndë dënim me gjobë kurse në 4 të tjera dënim me kusht. Ndërsa në një rast ka pasur aktgjykim lirues.
E për veprën penale “Ofrimi i lokaleve për prostitucion”, janë gjithsej 12 lëndë në punë. Për këtë vepër penale në dy raste është dhënë aktgjykim refuzues.
Kujtojmë që një raport i Departamentit të Shtetit amerikan publikuar në qershor të këtij viti, theksonte se Kosova nuk i ka plotësuar as standardet minimale për eliminimin e trafikimit me njerëz, por megjithatë po bën përpjekje në këtë drejtim.
“U dënuan më pak trafikantë dhe u identifikuan më pak viktima. Gjyqtarët vazhduan të shpallin dënime të ulëta për trafikantët e dënuar”, thuhej në raportin e Departamentit të Shtetit.
Raporti njihte disa rezultate si rishikimin e Kodit Penal ku riklasifikoheshin të gjitha veprat e detyruara të prostitucionit si trafikim, si dhe emërimin e një koordinatori rajonal të Prokurorisë.
Aty përmendej edhe ulja e fondit për strehimore të OJQ-ve për të katërtin vit radhazi e përmendej fakti që OJQ-të mbështeteshin në donatorë të huaj.
Raporti i rekomandonte autoriteteve hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e trafikantëve si dhe shpalljen e dënime të larta, mandej sigurimin e fondeve për strehimoret e OJQ-ve e caktimin e prokurorëve dhe gjykatësve të trajnuar ekskluzivisht për rastet e trafikimit./FaktePlus