Shqetësim për variantin Delta: Në Britani, mutacioni përbën 91% të rasteve
Më shumë se 90 për qind e rasteve me koronavirus në Britaninë e Madhe janë të variantit, Delta, i identifikuar fillimisht në Indi. Këtë tha ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, në fjalën e tij para një komisioni parlamentar.
“Të dhënat, të cilat i shqyrtova një ditë më parë, tregojnë se varianti Delta përbën tani 91 për qind të rasteve të reja në Britaninë e Madhe”.
Ndërsa ka vaksinuar plotësisht, gati 30 milionë banorë, Britania e Madhe po përjeton rritje të rasteve me koronavirus. Mbi 7500 raste të reja u shënuan të mërkurën, rritja më e madhe ditore që prej 26 shkurtit. Kjo tregon se varianti Delta po përhapet me shpejtësi rreth vendit. 6 persona të tjerë humbën jetën nga koronavirusi, në 24 orët e fundit.
Situata me pandeminë po rrezikon atë që ishte cilësuar si rihapja e madhe e vendit, më 21 qershor kur do të hiqeshin gati të gjitha kufizimet. Edhe kancelarja Merkel, e cilësoi si shqetësues variantin indian.
“Nuk duhet të harrojmë se koronavirusi nuk është zhdukur. Jemi të shqetësuar nga i ashtuquajturi varianti Delta, i cili po përhapet shpejt në Britani. Duhet të përshpejtojmë vaksinimin, për të rritur mbrojtjen nga varianti”.
Më herët, kreu i OBSH-së në Europë, Hans Kluge paralajmëroi se kontinenti ishte ende larg imunizimit, ndërsa rreziku për përhapjen e variantit Delta, ishte real.