Shpërthimi që trazoi pushuesit, krejt çka ndodhi dje në Ujman
Qetësia e pushuesve në Liqenin e Ujmanit të dielen është prishur pas një shpërthimi të fuqishëm në afërsi të tij.
Një granatë dore dyshohet se u hodh aty rreth orës 14:30 derisa u dëmtuan të paktën dy vetura, njëra me targa vendore e tjetra me targa amerikane.
Nga mjeti shpërthyes që u hodh nga persona ende të paidentifikuar, megjithatë nuk pati të lënduar.
“Dy vetura pësuan dëme nga një mjet shpërthyes i hedhur pasditen e së dielës këtu në afërsi të Liqenit të Ujmanit. Zyrtarët policor kanë thënë se nuk ka asnjë të lënduar në këtë rast.”
Pronarët e veturave nuk deshën të flasin para kamerës, por thanë se ishin duke u larë në liqe kur kanë dëgjuar krismën e kanë parë tymin e zi.
Ata thanë se kanë ardhur edhe herëve të kaluara në Ujman por nuk kanë pasur asnjë problem, teksa treguan se Policia i ka larguar të gjithë pushuesit që ishin aty.
Policia e Kosovës, gjatë hetimeve për shpërthimin e së dielës në afërsi të Liqenit të Ujmanit, ka bastisur një shtëpi në Zubin Potok, ku siç raportoi më herët Dukagjini ka identifikuar dhe intervistuar një të dyshuar.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për Express se gjatë bastisjes mes të tjerash është gjetur një veturë dhe tri radiolidhje që janë sekuestruar.
“Në vazhdën e hetimeve në lidhje me rastin shpërthimit të sotëm në afërsi të Ujmanit, Policia rreth orës 21.00 ka bastisur një shtëpi në zonën e Zubin Potokut. Gjatë bastisjes policia ka has dhe ka sekuestruar në mes tjerash edhe 3 radiolidhje dhe një veturë. Nuk kemi persona të arrestuar, ndërsa policia ka identifiku një person i cili për neve është me interes për intervistim”, ka thënë Elshani
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për rastin.
“Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjo është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme. Por, rrugë tjetër nuk ka. Sundimi i ligjit dhe rendi publik, siguria dhe paqja, janë vlera themeltare dhe interes i përbashkët i shoqërisë dhe qytetarëve bashkë me shtetin e Kosovës”, ka shkruar ai.
Kurti ka shtuar se është i bindur që institucionet e sigurisë do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë dhe se kjo pjesë dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim.
Ndonëse jo nga ndonjë shpërthim persona të panjohur ia kishin dëmtuar veturën edhe një vizitori, këtu në Ujman një ditë më parë.
Liqeni i Ujmanit u kthye në qendër të vëmendjes javëve të fundit duke u bërë destinacion turistik për qytetarët.
Ndërkohë që meritat për këtë zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje ia dedikuan qeverisë, nga organet e sigurisë siç i kanë thënë Dukagjinit jozyrtarisht thirrjet që sa më shumë persona të vijnë në Ujmanit kanë qenë shqetësuese për shkak të situatës së brishtë që vazhdon të jetë në komunat veriore.