Shpërthim eksplozivi në një bankomat në Komoran, plaçkiten paratë
Persona tani për tani të panjohur kanë sulmuar me eksploziv një bankomat në fshatin Komoran të komunës së Drenasit, me ç’rast kanë arritur të vjedhin edhe një shumë parash.
Rastin e sulmit dhe vjedhjes e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
“Në orët e hershme të mëngjesit, diku rreth orës 04:00 kemi pranuar informacionin për një rast të grabitjes që ka ndodhur në fshatin Komoran. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore”, ka thënë Ahmeti.
Zëdhënësja ka treguar se personat e dyshuar kanë përdorur mjete shpërthyese, duke dëmtuar kështu bankomatin dhe vjedhur një shumë të parave.
“Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar duke dëmtuar bankomatin me një mjet shpërthyes, ku më pas janë grabitur një sasi të parave”, ka deklaruar ajo.
Tutje Ahmeti theksoi se njësitet policore po vazhdojnë punën për të identifikuar personat e dyshuar dhe vendndodhjen e tyre./FaktePlus