Shpend Ahmeti i gatshëm të takohet me Albin Kurtin
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se komuna nuk di rreth një plani të ndërtimit të një pompe te hekurudha që po përflitet se do të ndodhë.
Ai duke thënë se nuk do të ketë leje nga komuna për këtë çështje, shtoi se gjithashtu pret nga qeveria e re që të mos lejohet dhënie të tilla të pronave.
“I lexova disa statuse rreth një ndërtimi te hekurudha të një pompe. Ajo është tokë e Hekurudhës (Infrakos) e cila është ndërmarrje Publike Qendrore dhe ne nuk kemi qasje në qoftë se i kanë dhënë tokën dikujt. Askush s’ka aplikuar për leje dhe nga inspekcioni janë vendos shirita”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
“Nuk e dimë se çka ndodh me pronën e Hekurudhës por nuk do të ketë leje ridestinimi i gjelbërimit. Pres nga qeveria e re që mos të lejohen dhënie të tilla të pronës dhe po ashtu edhe diskutime shtesë për bllokimin e ndërtimit të krahut hyrës të rrugës në rrethin e Fushë Kosovës. Nuk kemi nevojë për më shumë pompa në atë pjesë”.
Ahmeti në këtë postim u pyet nga një qytetar nëse do të ketë takim me kryeministrin Albin Kurti për punë që lidhen edhe me Qeverinë. Përgjigja e tij ishte pozitive me arsyen se një takim me ish-shefin partiak do ta bënte për të mirën e Prishtinës.