Shpend Ahmeti ia qet në konto 60 mijë euro Action Bronsonit
Pas katër muajve, tani Komuna e Prishtinës i ndau 60 mijë euro për këngëtarin me prejardhje shqiptare e me famë botërore Action Bronsonit, i cili përformoi në një festival në Prishtinë në gusht të këtij viti. Vendimin për t’u paguar ky artist e mori para pak ditëve kryetari Shpend Ahmeti.
Koncerti i cili ishte organizuar nga babai i Dua Lipës, Dukagjin Lipa, ishte mbajtur në Parkun e Gërmisë me 10, 11 dhe 12 gusht 2018 në kuadër të festivalit Sunny Hill Festival. Në këtë festival, i cili është i themeluar nga Dua Lipa, pos saj dhe Action Bronsonit patën përformuar edhe shumë artistë të tjerë, por komuna e Prishtinës e pagoi vetëm Bronsonin.
Të gjitha mjetet e fituara nga ky festival ishte thënë që do të derdhën në Fondacionin Sunny Hill, ku drejtor i Bordit të këtij fondacioni figuronte edhe kryetari Shpend Ahmeti, ndërsa kryshefekzutiv është Dukagjin Lipa.
“Miratohet vendimi për mbështetje financiare për festivalin “Sunny Hill Festival” për pagesën e përferomaces së artistit Action Bronson. Shuma mjeteve financiare do të jetë 60. 000 euro. Ky vendim hynë në fuqi ditën e nënshkrimit të tij”, thuhet në vendimin që kryetari Shpend Ahmeti e nënshkroi më 21 dhjetor 2018.
FaktePlus e ka pyetur Ahmetit nëse ndodhet në konflikt të interesit, kur mori vendim të paguajë një artist e që paratë e festivalit derdheshin në fondacionin ku Ahmeti ishte anëtar i Bordit.
Por, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i festivalit “Sunny Hill”, i cili e ka organizuar eventin, dhe se nuk është as anëtar Bordi as i Fondacionit “Sunny Hill”.
“Nuk kam qenë asnjëherë pjesë e festivalit Sunny Hill. Kjo është shuma që është ndarë sivjet, por pagesa është bërë me vonesë. Ka qenë disa herë në lajme për pagesën e artistit Action Bronson për të përformuar në Prishtinë. Dhe nuk është vendimi për Sunny Hill Foundation, e cila është OJQ (ku nuk jam anëtar), por për festivalin Sunny Hill, i cili do të mbahet çdo vit në Prishtinë”, tha Ahmeti për FaktePlus.
Megjithëkëtë të gjitha të ardhurat e këtij festivali janë derdhur në këtë fondacion ku deri para pak kohe kryetari Shpend Ahmeti ka qenë në Bord, bashkë me biznesmenin Bujar Musa, ambasadorin britanik në Kosovë, Ruairí O’Connell, mandej ish- presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe dy pjesëtarët e organizatave të ndryshme, Besian Mustafa dhe Laura Kryeziu-Selimi. Emrat e tyre figuronin në ueb faqe të fondacionit.
Aktualisht, në ketë ueb faqe nuk është emri i kryetarit Shpend Ahmeti si pjesë e Bordit. Aty janë emrat e presidentit të IPKO-së, Bujar Musa, zëdhënësit të LDK-së, Besian Mustafa dhe Laura Kryeaziu Selimi.
Sunny Hill Festival kishte mbajtur një koncert në Prishtinë edhe në vitin 2016, dhe ishte thënë se të gjitha paratë do të shkonin për bamirësi, të cilat do t’i realizonte fondacioni. Por, deri më tani vetëm 100 mijë euro janë ndarë zyrtarisht për bamirësisë, dhe kjo ishte bërë publike nga Dukagjin Lipa, pak para mbajtjes së festivalit në këtë vit.
Kjo organizatë është themeluar në vitin 2016 dhe thuhet se ka për qëllim përmirësimin e kushteve në Kosovë, duke përfshirë zbutjen e varfërisë, forcimin e demokracisë, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe pika të tjera që janë përfshirë në përshkrimin e kësaj organizate.
Sipas ueb faqes, Fondacioni Sunny Hill , thotë se është i përkushtuar për krijimin dhe promovimin e barazisë sociale në pjesë të shoqërisë që nuk kanë gëzuar kurrë përfitime.
“Ne veçanërisht i mirëpresim kërkesat nga grupet e pakicave dhe të margjinalizuara. Ne duam të bëjmë një ndryshim konkret për njerëzit në mbarë Kosovën dhe për të ndihmuar në realizimin e potencialit të tyre për të qenë forca për ndryshime pozitive shoqërore. Ne do t’i japim një dorë ndihmese komunitetit tonë. Ne do të mbështesim grupet dhe projektet që përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e njerëzve”.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti mund të ketë qenë në konflikt të interesit në vitin 2016, kur u mbajt koncerti i madh nga Festivali Sunny Hill, e që përformoi Dua Lipa. Kjo pasi Ahmeti kishte dhënë fonde të Komunës për organizimin e koncertit ku paratë do të shkonin në organizatën ku vetë ishte drejtor i Bordit.
Komuna që e udhëheq Ahmeti kishte shpërblyer me tender kompaninë “Republika Communications Agency”, për organizmin e koncertit, ku pronari i të cilës është Dukagjin Lipa, i cili po ashtu është edhe drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Sunny Hill”. Titulli i kontratës i dhënë nga autoriteti kontraktues, Komuna e Prishtinës quhej: Organizimi i koncertit të Dua Lipës. Për nënshkrimin të kontratës ishte ftuar direkt kompania e Dukagjin Lipes, “Republika Communications Agency”. Kjo pasi tenderi ishte realizuar me procedurë të negociuar, pra pa konkurrencë. Vlera e përgjithshme e kontratës ka qenë fiks 49,990.00 euro. Tenderi ishte realizuar në shtator të vitit 2016.
Kurse në fund të vitit 2015, kompania e Dukagjin Lipes e ka fituar edhe një tender-kornizë për 24 muaj nga Zyra e prokurimit të Komunës së Prishtinës në vlerë prej 70,991.28 euro. Kontrata e cila ka përfunduar në fund të vitit 2017 quhej “Fushata informuese për tatim në pronën e paluajtshme”. Dukagjin Lipa dhe Shpend Ahmeti janë shokë të ngushtë që disa vite.
Ndërkaq, koncerti i mbajtur sivjet ka pasur të hyra të majme, pasi çmimi i biletave fillonte nga ajo më e lira 35 euro, duke vazhduar më pas me 55 euro dhe 75 euro./M.Buzhala – FaktePlus