Shoqëria Civile: Të bëhet publike përmbajtja e marrëveshjes së linjës ajrore Prishtinë-Beograd
Pas 21-viteve, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për hapjen e linjës ajrore.
Marrëveshja është arritur në ambasadën amerikane në Berlin, në prezencës e ambasadorit, Richard Grenell, në të cilën përfaqësuesit e kompanisë Lufthansa i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i kanë njoftuar autoritetet e Kosovës për këtë synim, ku dhe kanë kërkuar që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme për fluturimet.
Kjo marrëveshje për krijimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, është cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe është përshëndetur nga liderët në Kosovë, Serbi, si dhe nga ndërkombëtarët.
Megjithëkëtë, shoqëria civile në Kosovë kanë kërkuar nga autoritet kosovare që të bëhet publike përmbajtja e kësaj marrëveshje.
Visar Xhambazi, nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), tha se duhet të bëhet e qartë se si do të udhëtojnë qytetarët me pasaporta apo me letërnjoftim.
“Edhe pse dialogu Kosovë-Serbi mbetet i bllokuar për më shumë se një vit, emërimi i emisarit të posaçëm Amerikan nga Presidenti Trump për dialogun Kosovë-Serbi dha frytet e para. Çdo veprim pozitiv karshi përmirësimit të raporteve Kosovë-Serbi duhet përshëndetur, mirëpo është esenciale të publikohen detajet e marrëveshjes. Ende nuk dihet nëse qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë me pasaporta apo me letërnjoftim. Nëse pasaportat vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet Serbe, atëherë nuk mund të thuhet se ka përparim në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Xhambazi tutje tha se në këtë marrëveshje për linjën ajrore ka ndikuar presidenti i SHBA-së, Donald Trump.