Shoqëria civile: Kandidatët që nuk duhet të futen në listat e partive për zgjedhje
Përkundër presioneve ndërkombëtare, por edhe atyre të brendshme, duket që sërish subjektet politike do të paraqesin kandidatë me aktakuza të ndryshme në listat e tyre për zgjedhjet e parakohshme që pritët të mbahen së shpejti në Kosovë.
Përfaqësues të shoqërisë civile tërheqin vërejtjen e kërkojnë nga subjektet politike që mos të përfshijnë në listat e tyre zgjedhore kandidatë që kanë lëndë të hapura në prokurori dhe gjykata për vepra të ndryshme.
Betim Musliu, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në një bisedë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, vlerëson se është fatkeqësi e madhe nëse sërish individët, të cilët kanë probleme me ligjin, do të jenë pjesë e listave dhe të bëhen pjesë e qeverisjes së ardhshme.
Ai thotë se nëse subjektet veprojnë në këtë mënyrë, atëherë do të zbehen shpresat për të pasur një qeverisje më të mirë edhe pas këtyre zgjedhjeve.
“Legjislacioni pozitiv në Kosovë kufizon të drejtën që të kandidojë në zgjedhje cilido person, i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit. Pra, këta persona nuk mund të jenë kandidatë në lista, ndërkaq personat e tjerë, të cilët edhe janë dënuar, por që rasti ende është në procedurë përmes ankesave, apo edhe ata që kanë aktakuza të ngritura mund të jenë kandidat sepse nuk ua ndalon ligji. Mirëpo kjo do duhej të ndalohej nga partitë politike, të cilat nuk do duhej t’i konsideronin këta kandidatë”, ka thënë Musliu.
Sipas tij, përbërja e listave zgjedhore tani varet ekskluzivisht nga vullneti i partive politike, të cilat kanë duke ofruar kandidatë që nuk kanë probleme me ligjin, kanë mundësi ta kalojnë këtë test të demokracisë dhe ofrojnë mundësi për qeverisje më të mirë.
Shembull sipas Musliut, është Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka numrin më të madh të zyrtarëve me aktakuza ose që përndiqen nga drejtësia, e që kryetari i këtij subjekti, Kadri Veseli, ka marrë vendim të duhur ditë më parë, për të lënë jashtë institucioneve ata që kanë aktakuza.
“Ne si shoqëri civile kemi kërkuar ndër vite që mos të ketë zyrtarë që kandidojnë dhe qeverisin me aktakuza, por se sa do të zbatohet kjo në praktikë, mbetet të shihet. Përndryshe, si praktikë e mirë, do duhej të ndiqej nga të gjitha partitë politike në Kosovë që më në fund të kemi standard të ri, ku personat që kanë probleme me ligjin, nuk duhet të kenë mundësi të jenë zyrtarë shtetërorë dhe të bëjnë politika për ta qeverisur vendin”, është shprehur Musliu.
E skeptik në lidhje me këtë çështje është shprehur edhe Besnik Boletini, i cili është hulumtues në organizatën “Çohu”.
Sipas tij, duke marrë për bazë zgjedhjet e kaluara, pritet që sërish edhe në zgjedhjet që do të mbahen së shpejti, të ketë njerëz me aktakuza, sidomos të subjekteve politike që kanë qenë në pushtet.
Boletini thotë se përfshirja e kandidatëve me aktakuza në listat zgjedhore zakonisht ka ndodhur për shkak të peshës së tyre politike brenda partisë, pasi ata edhe si të tillë kanë mbështetje brenda strukturave partiake.
“Përfshirja eventuale e njerëzve të fuqishëm në lista zgjedhore edhe përkundër faktit se mund të kenë aktakuza, konsideroj se ndodh për dy arsye. E para është se të tillët janë të fuqishëm brenda partisë, kanë mbështetje brenda strukturave partiake. E dyta, ata kanë edhe mbështetje popullore, qoftë për të kaluarën e tyre dhe aktivitetet gjatë luftës, apo posteve që kanë mbajtur ndër vite”, ka thënë ai për FaktePlus.
Ai tutje ka shpjeguar se partitë politike nuk e kanë guximin që t’i përjashtojnë nga listat personat që kanë lëndë të hapura në prokurori e gjykata, për shkak se mund të krijojnë probleme brenda partiake, e rrjedhimisht të humbin vota.
Kujtomë se edhe në proceset e mëparshme zgjedhore, përfaqësuesit e diplomacisë së huaj në Kosovë, por edhe shoqëria civile, patën kërkuar që partitë politike të mos i fusin në lista zgjedhore personat që janë duke u janë përballur me procedura penale apo që kanë pasur të ngritura procedura penale./FaktePlus