Shoqëri e marrë e një shteti të marrë
Shkruan: Resul Sinani
Lajmi për 16 vjeçaren nga Drenasi më ka shokuar, ashtu si secilin qytetar tjetër të këtij vendi.
Përjetimet e saj ta ngrijnë gjakun, të bëjnë të rrënqethesh e të shkulësh flokët deri fijen e fundit, por përsëri të mos e arrish nivelin e dhimbjes që ia kanë shkaktuar tri monstra vajzës së gjorë.
Dhe KUSH?
Tre njerëz (që nuk e di a meritojnë të quhen kështu) të tre profesioneve të shenjta, të tre profesioneve të cilat misionin dhe qëllimin e ekzistimit të tyre e kanë ekskluzivisht përkujdesjen dhe shërbimin ndaj qytetarëve, prandaj shteti (si krijesë shoqërore) i ka krijuar dhe investon për to!
Mesuesi, Polici, Mjeku.
Tmerr.
Secili nga të tre, ka kryer krim makabër ndaj të miturës në mënyrën e vet, secili nga të tre si i vetëm, mbase do të përbënte përjashtim dhe do të ngushëlloheshim se është një rast i veçantë, por kur bëhen të tre bashkë dhe me vetëdije bashkëpunojnë, jo vetëm për të fshehur krimin e tjetrit, por edhe për të kryer me gjakftohtësi secili krimin e vet, të bëjnë të pyesësh veten se çfarë ka ndodhur me ketë shoqëri? A mos vallë këto janë simptomat e një shoqërie të marrë që jeton në këtë shtet gjithashtu të marrë?
…dhe kjo nuk është marrëzia e vetme e këtyre ditëve, e për fat të keq, nuk duket që të jetë e fundit.
Tmerr.
Marrëzi!
Pse? Pse? Pse?
Sepse, për fat të keq ‘imoraliteti’ është shndërruar në vlerë, nga i pari i shtetit, e deri tek i fundit!
“Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetveten.”