Shoqata e Naftëtarëve reagon ndaj Auditorit për cilësinë e naftës
Raporti i Auditimit të Performancës “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës” ka gjetur se mangësitë e identifikuara në këtë sistem, që në import menaxhohet nga Dogana e Kosovës dhe në tregun e brendshëm nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e vejnë në pikëpyetje kompetencën dhe besueshmërinë e marrjes së mostrave dhe testimit të tyre, prandaj si i tillë ky sistem nuk është në gjendje të sigurojë cilësi të derivateve të naftës për qytetarët e Kosovës.
Ky raport “e vuri gishtin” në mungesën e raporteve të testimit laboratorik, numrin e ulët të parametrave të testuar, informatat jo të plota e pamundësinë e identifikimit të Trupave Inspektuese, monitorimin joadekuat etj,
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka thënë për FaktePlus se nga kjo shoqatë nuk janë të kënaqur me kontrollimin e cilësisë së derivateve, pasi sipas tij nuk është arritur të kontrollohet as 5 %.
“Ne nuk jemi të kënaqur me kontrollimin e cilësisë sepse nuk u arrit as 5 % me u kontrollu cilësia”, ka thënë ai.
Sipas Berjanit është një tendencë që Trupat Inspektues të kthehen nga ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe kjo kundërshtohet fuqishëm nga Shoqata e Naftëtarëve. Kjo pasi që sipas tij, ata manipulojnë me cilësi e nuk e kryejnë punën si duhet.
“Sa i përket kontrollit të cilësisë, Shoqata e Naftëtarëve ka qenë dhe mbetet që kontrolli i cilësisë të bëhet gjatë importit. Sa i përket mostrimit të kontrollimit të cilësisë nga Trupat Inspektues, ne i kemi kundërshtu dhe i kundërshtojmë gjithëherë sepse Trupat Inspektues vetëm kanë manipulu me cilësi dhe asnjëherë nuk e kanë kontrollu, nuk e kanë ba mostrimin, por vetëm i kanë plotësu letrat. Qëndrimi jonë është që Trupat Inspektues duhet të largohen sa më parë. Është një tendencë e ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që të kthehen ata e të manipulon me cilësi”, ka deklaruar ai për FaktePlus./FaktePlus.