Shoqata e Mullisëve: Gjendja e stoqeve me grurë e qëndrueshme, s’ka arsye të rriten çmimet e miellit
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Besian Mustafa ka pritur sot përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve të Kosovës për të diskutuar mbi rritjen e çmimit të miellit të raportuar nga qytetarët gjatë kësaj jave dhe masat që duhen ndërmarrë bashkërisht që kjo të mos ndodhë.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve njoftuan ministrin Mustafa se gjendja e stoqeve me grurë të destinuar për blojë në Kosovë dhe regjion është e qëndrueshme, prandaj nuk ka asnjë arsye, deri më tani, që çmimet e miellit të prodhuar në Kosovë të rriten.
Prodhuesit kosovarë të miellit deklaruan se ata nuk kanë rritur çmimet e miellit, por ka informacione se ky çmim mund të jetë rritur kryesisht nga tregtarët e vegjël.
Ai kërkoi të ketë koordinim të plotë ne mes të MBPZhR-së dhe prodhuesve të miellit që të sigurojnë qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë keqpërdorime të situatës së krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19.
Mustafa dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve të Kosovës u zotuan për partneritet të vazhdueshëm mes tyre dhe shprehën gatishmërinë për bashkëpunim e bashkërendim të programeve dhe aktiviteteve.