Shoqata e Gastronomëve kërkon nga Qeveria që t’ia lejojë aktivitetin klubeve të natës
Shoqata e Gastronomëve ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës përmes një letre që t’ia lejojë klubeve të natës aktivitetin e tyre.
Kjo shoqatë ka përmendur në arsyetim disa shtete fqinje që kanë lejuar këtë veprimtari dhe kanë theksuar që me ardhjen e diasporës, ekonomia do të ndihmohet edhe më shumë.
“Pjesë e konsiderueshme e remitencave të bashkë-atdhetarëve tanë qarkullohen përmes industrisë që ne përfaqësojmë. Vetëm ta mendosh, është e lehtë t’a ndalojmë edhe më tutje operimin e klubeve të natës por impakti dhe qëndrueshmëria ekonomike dhe shoqërore është kosto e madhe të cilën veçse po na duhet kohë ta rimëkëmbim”, thuhet në letër.
Tutje kjo shoqatë thekson se lejimi i veprimtarisë së tyre ndihmon edhe turizmin vendor.
“Përveç arsyeve të ndërlidhura me qëndrueshmërinë dhe stabilitetin financiar të vet-klubeve të natës dhe efektit zingjiror në punësim, aktivitet ekonomik, etj; qeveritë e shteteve të ndryshme kanë vlerësuar se lehtësimet përkatëse do të ndikojnë edhe në zhvillimin e mëtutjeshëm të turizmit vendor”, thuhet në letër, përcjell FaktePlus.
Kjo Shoqatë shprehet e gatshme që të ndihmojë në zhvillimin dhe aplikimin me përgjegjësi të plotë të masave dhe programeve që mundësojnë kontrollimin dhe operimin e klubeve të natës gjatë periudhës së pandemisë.