Shkupi nuk pret pasoja nga ndalja e gazit rus
Maqedonia e Veriut nuk pret që të ketë pasoja të mëdha në furnizimin me gaz pas vendimit të Kompanisë shtetërore ruse të energjisë Gazprom, që të ndërpresë furnizimin me gaz për Bullgarinë, nga dita e mërkurë.
Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, ka thënë se “Sofja nuk do t’u nënshtrohet shantazheve të Rusisë që të paguajë gazin me rubla” dhe se Bullgaria, sipas tij, është e përgatitur për një vendim të tillë të kompanisë shtetëror ruse të energjisë.
Edhe ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, tha të mërkurën se autoritetet janë të gatshme të përballen me pasojat e një vendimi të tillë të Moskës.
“Ne si institucione, por edhe të gjitha kompanitë tashmë jemi të përgatitur për çdo situatë të mundshme. Ndikimi nga një vendimi i tillë do të jetë shumë i vogël për të mos thënë zero”, deklaroi Bekteshi.
Importi i derivateve të naftës me origjinë nga Rusia, sipas Bekteshit, është afërsisht 8%. Ai tha se aktualisht nuk ka asnjë ndërprerje në furnizimin me gaz dhe në rast se Rusia ndërpret furnizimin për Bullgarinë, interkonektori nga Greqia do të përdoret si lidhje alternative sepse sipas Bekteshit, Bullgaria sipas marrëveshjeve të nënshkruara, nuk duhet të ndërpresë transitin e gazit.
Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë i Maqedonisë së Veriut, thanë të mërkurën se gazsjellësi që kalon përmes Bullgarisë mund të shërbejë si transit për Maqedoninë e Veriut, pasi ka një mundësi teknike për rrjedhje të pandërprerë të gazit natyror në vend.
Sipas informacioneve që disponojmë, Makpetrol, që është kompania kryesore e importit të gazit natyror, me kohë i ka shlyer detyrimet ndaj kompanisë ruse Gazprom, që nënkupton furnizim stabil të gazit natyror. Megjithatë, situata është komplekse, monitorohet vazhdimisht dhe varet nga vendimet që do të marrë Rusia – nëse do të zgjerojë listën e vendeve të cilave do t’ua ndalojë apo kufizojë furnizimin me gaz natyror”, thuhet në njoftimin e Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Edhe pse është një konsumator i vogël në krahasim me vendet evropiane, ndërprerja e gazit nënkupton ndërprerjen e sistemit të ngrohjes në gjithë qytetin e Shkupit dhe në disa zona tjera, ndërprerjen e punës në Qendrën Klinike Universitare në Shkup, ndërprerjen e punës së zonave ekonomike dhe të kapaciteteve tjera industriale.
Por, ministri Bekteshi tha se ka zgjidhje tjera që të mos vijë deri te ndërprerja e punës së kompanive.
“Kompanitë që shfrytëzojnë gazin kanë edhe alternativa tjera, të shfrytëzojnë burime tjera të energjisë, si mazutin, apo vajin e lehtë për ngrohje sikur edhe gazin e lëngshëm”, tha Bekteshi.
Ai përmendi edhe planet për furnizimin e vendit me gaz përmes Greqisë, në Aleksandropolis në verilindje të fqinjit jugor.
Gjorgji Manaskov, nga Oda Ekonomike Energjetike, tha se deri në realizimin e këtij projekti do të nevojitet edhe shumë kohë.
“Do të jetë një procedurë e ngadaltë, nuk besoj se do të jetë e shpejtë dhe këtë vit nuk mund të presim asgjë. Së dyti, besoj se do të jetë më i shtrenjtë se gazi rus dhe do të rrisë ndjeshëm çmimin e gazit në vend. Me rëndësi është se shteti duhet të marrë masa serioze pasi në rast se nuk merren masa, qytetarët mund që në dimër të mbeten pa ngrohje sikur që mund të mbeten edhe shumë kapacitete ekonomike dhe institucione shtetërore”, thotë Manaskov.
Maqedonia e Veriut nuk ka burime të gazit siç nuk ka as naftë. Ky vend nuk i plotëson as nevojat e veta për energji elektrike. Nuk ka burime alternative si fotovoltaikët dhe termocentrale me erë, ndërsa hidrocentralet e vogla nuk shfrytëzohen mjaftueshëm.
Manaskov tha se kriza me gazin e ndërlikoi edhe më shumë gjendjen me energjinë elektrike, që do të çojë në rritjen e çmimit gjatë muajve të ardhshëm duke paralajmëruar edhe krizë energjetike.
“Sa i përket energjisë elektrike, ashtu siç na është thënë nga Komisioni Evropian, vitin e ardhshëm çmimi do të rritet për dy herë, andaj është mirë që qytetarët të përgatiten si të munden”, theksoi Manaskov.
Maqedonia e Veriut përdor gazin rus që nga viti 1997. Gjatë vitit 2021 janë harxhuar rreth 400 milionë metër kub gaz, ose gjysma e kapacitetit të gazsjellësit. Në Maqedoninë e Veriut për një banor shfrytëzohen 200 metra kub gaz, apo shtatë herë më pak se në Gjermani. /Rel