Shkuan për punë, u kthyen në arkivole- varrosen dy vëllezërit nga Gjilani (VIDEO)
Shukri Abazi e mbante afër nipin e tij Besimin, teksa po priste që t’i varroste dy djemtë e tij, Shemsedinin e Isain, të cilët gjetën vdekjen nën rrënojat e një hoteli në Durrës që u shkatërrua nga tërmeti i fuqishëm që goditi dy ditë më parë Shqipërinë.
Shemsedini e Isai kishin shkuar në Durrës për të blerë disa pjesë për të kryer punën e zakonshme që bënin çdo ditë. Ata merreshin me servisim të veturave, punë me të cilën e siguronin edhe mbijetesën për familjen.
E pas kësaj tragjedie, sot për t’ua lehtësuar dhimbjen familjes Abazi nga Livoçi i Epërm i Gjilanit, kishin shkuar qindra qytetarë nga kjo komunë, e pjesë tjera të Kosovës.
Familjarët shprehen të tronditur nga kjo ngjarje e rënd. Sadri Behluli, i afërm i familjes Abazi, thotë se Shemsedini e Isai mbanin familjen me punën që bënin.
“Këta dy djemtë që kanë ra viktimë e tërmetit i kam kojshi, thuajse familjarë, kemi jetuar bashkë, kemi punuar bashkë, por zoti i shpërbleftë në xhenet”, tha Behluli.
Mes dhimbjes kushëriri i vëllezërve të vdekur nga tërmeti, thotë se shkuan atje për të punuar për ekzistencën e familjes.
“Kanë lënë fëmijë jetimë, kanë shkuar për idare, hekura kanë bartur, me këto kanë punuar dhe kanë jetuar”, ka shtuar Behluli.
Në varrimin e dy vëllezërve morën pjesë edhe drejtues të institucioneve lokale e Qendrore.
Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri e kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, thanë se puna e dy vëllezërve që humbën jetën nga tërmeti, ishte e ndershme, prandaj duhet përkrahur familja e tyre.
“Patën fatin të ndahen nga jeta në tërmetin tragjik Isa dhe Shema në punën e tyre të përditshme. Ata mes Durrësit e Gjilanit kanë jetuar dhe punuar dhe kanë mbajtur familjen e tyre. Dy bashkëqytetarë të ndershëm, dy qytetarë, dy burra dy të rinj u ndanë nga kjo jetë për t’i dhënë Gjilanit dhimbje në festën e flamurit”, tha Haziri.
“Jemi mbledhur këtu sot për t’ia dhënë lamtumirën e fundit Shemsedinit dhe Isahut, këtyre dy punëtorëve të mëdhenj, dy njerëzve të ndershëm, dy qytetarëve të Gjilanit e banorëve të Livoçit të cilët udhëtuan larg për siguruar ekzistencën e familjes së tyre…ne si shoqëri e institucione, si shtet kemi për obligim që t’i ndihmojmë e ta përkrahim këtë familje që përjetojë këtë fatkeqësi tragjike që duhet ta ndajmë bashkë të gjithë ne”, theksoi Kurti.
Shemsedin Abazi ka lënë pas gruan dhe katër fëmijët, tre djem dhe një vajzë, derisa Isai ka lënë gruan dhe dy djem të vegjël.
Nga tërmeti që goditi Shqipërinë deri me tani kanë humbur jetën mbi 40 persona, derisa qindra tjerë janë lënduar, e mijëra të tjerë kanë mbetur pa shtëpi si pasojë e rrënimit./FaktePlus