Shkon në mbi 150 numri i viktimave të vërshimeve në Evropën Perëndimore
Ekipet e kërkim-shpëtimit po nguten që të gjejnë të mbijetuar të vërshimeve që shkaktuan viktima e shumë dëme materiale në Evropën Perëndimore, duke lënë të vdekur mbi 150 persona.
Qindra njerëz janë ende të zhdukur pas reshjeve rekorde të shiut, të cilat nxitën vërshime të rënda në Gjermani e Belgjikë, shkruan BBC.
Reshjet e mëdha të shiut i goditën edhe Zvicrën, Luksemburgun e Holandën, ku Kryeministri Mark Rutte e ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë kombëtare në një provincë në jug të vendit.
Udhëheqësit evropianë i kanë fajësuar ndryshimet klimatike për motin ekstrem, ndërsa ekspertët thonë se ngrohja globale i shton gjasat për shi të rrëmbyeshëm.
Ekipet e shpëtimit në Gjermani u përballën me kushte të vështira të premten, duke i lënë familjarët e të zhdukurve në ankth duke pritur ndonjë lajm.
Rrjeti i telefonave ka rënë nga sistemi, rrugët janë dëmtuar rëndë dhe mbi 100.000 shtëpi nuk kanë furnizim me energji elektrike.
Shkencëtarët kanë parashikuar para disa viteve se shiu gjatë verës dhe valët e vapës do të bëhen me intensitet më të shtuar. Ata thonë se qeveritë duhet ta pakësojnë nivelin e lirimit të dyoksidit të karbonit dhe të përgatiten për mot më ekstrem.