Shkolla “Naim Frashëri” i kthehet normalitetit pas shembjes së dheut
Mbi 600 nxënës dhe 60 mësimdhënës të shkollës fillore “Naim Frashëri” i janë kthyer normalitetit dhe kanë nisur procesin mësimor, pasi të hënën u detyruan të largohen me urgjencë nga hapësirat shkollore për shkak të rrëshqitjeve të dheut, të cilat thuhet se erdhën për shkak të gërmimeve për ndërtimin e një objekti afër shkollës.
Në rrugën “Qamile Jaka” në Prishtinë, qysh në mbrëmjen e së dielës ka filluar shembja e dheut dhe kjo bëri që të hënën shumë banorë të shtëpive në këtë rrugë dhe nxënësit e shkollës që gjendet aty, të evakuohen me urgjencë.
Shembjet e dheut thuhet se kanë ndodhur për shkak të gërmimeve që po bëhen për ndërtimin e një objekti, me ç’rast lëkundjet kanë ndikuar që të pëlcas edhe një gyp i ujësjellësit që ka ndikuar të keqësohet situata.
E pas tejkalimit të rrezikut banorët janë kthyer nëpër shtëpi dhe nxënësit e shkollës fillore “Naim Frashëri” i janë kthyer normalitetit dhe kanë nisur procesin mësimor.
Këtë e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, drejtorja e shkollës, Shqipe Vllasaliu- Mehmedi.
“Dje ka filluar mësimi, ndërprerja ka qenë vetëm si preventivë derisa është bërë vlerësimi i rrezikshmërisë. Të gjithë nxënësit kanë ardhur në shkollë dhe mësimi është duke vijuar me rregull. Mund të them se tashmë i jemi kthyer normalitetit dhe vijimit mësimor”, ka thënë Vllasaliu-Mehmedi.
Drejtorja e kësaj shkolle tregon se në ditën e aksidentin fëmijët janë larguar menjëherë nga shkolla, pasi sipas saj edhe vinçi i kompanisë e cila po ndërton një objekt afër shkollës, ka rrezikuar nxënësit.
“Shkolla jonë gjendet afër vendit ku ka ndodhur aksidenti në fjalë, atë ditë kemi qenë paksa të shqetësuar por që është tejkaluar ky problem tashmë. Ideja ka qenë që të sigurohemi prej vinçit i cili ka qenë i rrezikshëm për fëmijët tanë”, thotë ajo.
Ndryshe, pas shembjes së dheut, kompania e cila ishte në ndërtim e sipër të një objektit banesor, është detyruar të mbushë vendin e gërmuar me zhavorr, në mënyrë që mos të ketë lëkundje tjera dhe rrezik për shtëpitë afër./FaktePlus