Shkoi në lokal edhe pse e dinte që ishte në kontakt me të infektuar, kryeministrja e Finlandës kërkon falje
Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, ndezi polemika pasi shkoi në një klub nate, pavarësisht se e dinte se kishte qenë në kontakt me një person të infektuar me COVID.
Liderja e re socialdemokrate shkoi në një festë në një klub në Helsinki, menjëherë pas njoftimit se ministri i Jashtëm, Pekka Haavisto, me të cilin ajo ishte në kontakt të përditshëm, ishte infektuar me virusin.
Pas kritikave, kryeministrja kërkoi falje në rrjetet sociale:
“Duhet ta kisha vlerësuar më mirë situatën. Më vjen keq që nuk e bëra”.
Para se të kërkonte falje, kryeministrja u mbrojt duke deklaruar se fillimisht i ishte thënë që të mos ishte në izolim pasi kishte marrë dy doza të vaksinës, por më pas do të merrte një mesazh nga shërbimet shëndetësore, duke i thënë që gjithsesi të shmangë kontaktet sociale. Por këtë mesazh ajo nuk e vuri re sepse kishte lënë celularin në shtëpi.
Politikanët e opozitës thanë se Marin duhej të kishte dhënë një shembull të mirë duke u izoluar vullnetarisht në vend që të shkonte në klub.