SHKK tregon nëse ka të prekur me koronavirus në burgjet e Kosovës
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, për mes komunikimit virtual, “Skype for bussines ” mbajti sot takimin e parë të këtij lloji me drejtorët e institucioneve korrektuese dhe atyre të paraburgimit, për të diskutuar mbi Planit Operativ “Corona Virus”, si dhe bashkërendimin e aktiviteteve për situatën e krijuar në vend.
Përmes video-komunikimit, të gjithë drejtuesit e institucioneve korrektuese dhe ata të paraburgimit, raportuan mbi gjendjen aktuale të institucioneve të tyre, planin operativ, punën dhe sfidat nëpër të cilat janë duke kaluar si rezultat i shfaqjes së epidemisë Covid 19.
Thaçi ka bërë të ditur se Plani Operativ “Corona Virus”, deri më tani është duke funksionuar në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu siç ishte paraparë.
Në fund, u vlerësua se në të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit deri më tani nuk ka asnjë rast me Covid 19.
Të burgosurit po marrin tretman më të shpeshtë mjekësor, janë furnizuar me material higjienik dhe me ushqim të mjaftueshëm, dhe të kontrolluar mirë nga stafi i kuzhinave./FaktePlus