Shkencëtarët i ngjyrosin lopët si zebra, arrihet një efekt interesant
Disa hulumtues kanë zhvilluar një studim me gjashtë lopë të zeza japoneze, duke i ngjyrosur me vija të bardha si të zebrave, duke i ngjyrosur vetëm me vija të zeza dhe disa duke i lënë me ngjyrën natyrale të qimeve.
Sipas hulumtimit, lopët e ngjyrosura si zebra patën 50 për qind më pak sulme të mushkonjave në trup në krahasim me grupet tjera. Ndërkohë nuk ka pasur ndonjë dallim të madh të sulmeve nga mushkonjat te lopët e ngjyrosura me vija të zeza dhe ato që nuk ishin ngjyrosur fare, transmeton Gazeta Express.
Shkencëtarët gjithashtu vërejtën rënie të sjelljes luftuese ndaj mushkonjave te lopët me vija të bardha për rreth 20 për qind. Më pak mushkonja lëshoheshin në trupat e tyre dhe ato lopë pengoheshin më pak nga mushkonjat.
Ekipi i hulumtuesve beson se nëse këto rezultate vlejnë edhe për grupe më masive të kafshëve, vijat artificiale mund të përdoren si mënyrë më e mirë për t’i luftuar mushkonjat sesa pesticidet tradicionale. Përpos që është metodë më e lirë, vijat e bardha nuk janë helmuese dhe janë më të shëndetshme për kafshët e më të mira për mjedisin.
“Mushkonjat pickuese janë dëmtuese serioze të gjedheve që shkaktojnë humbje ekonomike në prodhueshmërinë e kafshëve. Ne kemi zbuluar se vijat si të zebrave në lopë mund ta ulin shkallën e mushkonjave pickuese në kafshë për 50 për qind”, thuhet në hulumtim.
Sipas faqes IFL Science, vijat e bardha mund të shkaktojnë mashtrim optik të lëvizjes që mund të ndikojë në të pamurit e insekteve, duke i hutuar ato ngjashëm si iluzionet optike.