Shkelën urdhrin e shefit për kafe, suspendohen 15 policë
Janë dhjetëra policë që kanë shkelur urdhrin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. Agjencia e Lajmeve FaktePlus mëson se janë së paku 15 policë që janë zënë këtyre ditëve vetëm në Prishtinë duke qëndruar nëpër kafene e restorante gjatë orarit të punës.
Vetëm pak ditë pasi ka marrë detyrën e drejtorit të policisë, Qalaj pati deklaruar se ka synim dhe do të angazhohet të vë disiplinë në Polici.
Kështu, ai pati nxjerrë një urdhër të brendshëm që u ndalon rreptësisht punonjësve të policisë frekuentimin e kafeneve, restoranteve, njësive tregtare e çfarëdo mjedisi publik gjatë ditëve dhe orarit të punës.
Por, jo rrallë ka ndodhur që ky urdhër të mos respektohet. Pjesëtarët e policisë janë parë me uniformë duke qëndruar në kohë të ndryshme nëpër kafene, restorante e lokale të tilla.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus merr vesh se duke e parë këtë situatë drejtori Qalaj ka urdhëruar të fillohet një inspektim për të parë nëse po zbatohet urdhri i tij për të mos dalë gjatë orarit kafeneve.
Nga inspektimi për pak ditë ka rezultuar se policët në numër të konsiderueshëm po vazhdojnë të rrinë kafeneve dhe vetëm në Prishtinë janë zënë me dhjetëra.
FaktePlus mëson se për këtë shkelje tashmë janë suspenduar nga puna së paku 15 policë në Prishtinë, të cilët janë dërguar edhe në komision disiplinor.
“Po këtyre ditëve janë zënë dhjetëra policë duke qëndruar nëpër kafene gjatë orarit të punës. Janë së paku 15 të suspenduar nga puna për këtë shkelje vetëm në Prishtinë dhe tashmë janë dërguar në komision disiplinor, i cili do të merret me ta”, ka thënë për FaktePlus një zyrtar në kushte anonimiteti.
Ai tha se një inspektim i tillë është bërë edhe nëpër komunat tjera të Kosovës, e ku janë zënë policë duke shkelur urdhrin e drejtorit.
Kurse Zyra për informim e Policisë së Kosovës nuk ka treguar për numrin e të suspenduarve,por ka theksuar se të gjithë punonjësit policorë janë të obliguar të respektojnë dispozitat ligjore dhe rregulloret e brendshme.
“Në të gjitha rastet kur punonjësit e Policisë, nuk i përmbahen rregullores mbi respektimin e orarit të rregullt të punës, ndaj të njëjtëve mund të merren masa administrative, qoftë të asaj mbi ndalesën/heqjen e mëditjes së asaj dite, apo varësisht prej shkeljes edhe marrjen e masave tjera, përfshirë edhe suspendimin e përkohshëm”, thuhet në përgjigjen e dhënë për FaktePlus.