Shkarkimi i ambasadorëve, Fjala e fundit i mbetet presidentit Thaçi
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca ka propozuar shkarkimin e disa ambasadorëve politik, përfshirë edhe ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
Ministri i jashtëm ka edhe të drejtë t’i propozojë Presidentit shkarkimin ose përfundimin e mandatit të përkohshëm, por presidenti është autoriteti që vendos, kështu ka thënë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për Shërbimin e Jashtëm Diplomatik në raport me ambasadorët, Ministri i PJ ka të drejtë ti propozoj Presidentit shkarkimin apo përfundimin e mandatit të përkohshëm. Në raport me ambasadorët autoriteti final është Presidenti që vendos”, ka thënë Miftaraj.
Konjufca kërkon shkarkimin e Vlora Çitakut dhe gjashtë ambasadorëve tjerë
Sipas Miftarajt, duhet të ndalet praktika e emërimit të ambasadorëve politik dhe shkarkimi i ambasadorëve duhet të bëhet vetëm në bazë të ligjit.
“Përderisa, Qeveria, MPJ, Komisioni për Politikë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës dhe Presidenca duhet të koordinohen dhe ndalin praktikën e deritanishme në emërimin e ambasadorëve politik në anën tjetër shkarkimet e ambasadorëve duhet poashtu të bëhet vetëm në bazë të ligjit dhe duke respektuar procedurat. Kjo qeveri nuk guxon ti përsëris gabimet e qeverive të kaluara”, ka thënë Miftaraj.
Ndërsa, lidhur me propozimet e Ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për tërheqjen e disa ambasadorëve, Zyra e Presidentit ka thënë se deri më tash nuk kanë pranuar zyrtarisht asnjë propozim për tërheqje ambasadorësh, por emërimi dhe shkarkimi i ambasadorëve është e drejtë ekskluzive kushtetuese e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku përmes një reagimi ka thënë se do ta respektojë kërkesën e qeverisë së Kosovës.
Ajo ka thënë se e ka të qartë se ligjërisht vetëm presidenti i vendit, mund ta emërojë ose shkarkojë, por që për të, siç ka thënë ajo mjafton fakti që është e padëshiruar.
Sidoqoftë, Çitaku ka thënë se për këtë është dashur një njoftim paraprak lidhur me propozimin në fjalë.
Ndryshe Konjufca ka thënë se këtë e ka bërë pasi që, sipas tij, këtyre ambasadorëve u kanë mbaruar mandatet.
Vlora Çitaku, Edon Cana, Lirim Grajçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa e Ramadan Avdiu janë në listën e ambasadorëve të cilët ministri ka kërkuar të shkarkohen.