Shkaqet pse po mbin bari nëpër rrugët e asfaltuara në Kosovë
Punët për asfaltimin e rrugëve nëpër Kosovë po bëhen si mos më keq. Ani pse për shtrimin e tyre po jepen para të majme nga shteti. Për një kohë të shkurtër, pa kaluar 6 muaj në shumë prej rrugëve që janë shtruar me asfalt gjithandej komunave të Kosovës, me të ardhur stina e pranverës edhe po lulëzon bari.
Vetëm me buxhetin e këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ndarë 775 milionë euro për investime kapitale e që gjysma e kësaj shifre është paraparë të shkojë në asfalt.
E kohën e fundit kemi parë që asfalti i shtruar në gjashtë muajt e fundit është i një kualiteti shumë të dobët.
Epidemia e cilësisë së dobët të asfaltit ka përfshirë pothuajse të gjitha komunat e Kosovës. Cilësia e dobët u shpërfaq me ardhjen e stinës së pranverës.
Investime pa standarde, s’ka mbikëqyrje
Nga kjo është parë se përkundër investimeve, edhe pas 20 vitesh Kosova ende nuk i ka plotësisht funksionale standardet infrastrukturore, mbikëqyrjen dhe vlerësimin e impaktit të investimeve, kështu ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Besnik Muçiqi nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.
Këto asfaltime që mund të hiqen edhe me dorë, sipas Muçiqit po vijnë për shkak të investimeve ad-hoc e pa standarde, me operatorë shpesh të pandërgjegjshëm dhe pa kapacitetet, si dhe me mbikëqyrje të dobët.
“Siç e theksova më lartë, problemet janë të ndërvarura, në shumicën e rasteve niveli qendror nuk ka kritere për investime në nivelin lokal dhe për rrjedhojë kjo i vendos komunat në vështirësi, duke planifikuar ad-hoc. Në shumë raste komunat hyjnë në marrëveshje me operatorët ekonomikë në zotime shumëvjeçare. Ndërkaq në buxhetin e ministrive ato projeksione tërhiqen dhe për pasojë komunat përballen me përmbarues. Ndërkaq, në rrugët lokale komunat ballafaqohen me kërkesa të vazhdueshme për rrugë të lagjeve dhe për rrjedhojë, aty shfaqen problemet: E para, mungesa e planifikimit të banimit. Kjo shtyn në copëzimin e investimeve pa pasur mundësinë të bëhet vlerësimi kost-benifit dhe të ndiqet strategjia zhvillimore komunale”, tregon Muçiqi.
Veç kësaj, Muçiqi thotë se kjo ka të bëjë edhe me planifikimin jo të mjaftueshëm të mjeteve për përmbylljen në tërësi të infrastrukturës. E si rrjedhojë e kësaj duhet të bëhen intervenimet e njëpasnjëshme të cilat dëmtojnë njëra tjetrën.
“Sa i përket cilësisë, dhe fillimisht planifikimi i investimeve është i dobët e përtej kësaj parimi i çmimit më të lirë, operatorët e papërgjegjshëm dhe mungesa e standardeve dhe mbikëqyrjes e bënë këtë situatë të jetë e tillë”, tha Muçiqi.
E përgjegjësia për krejt këtë mbetët ende pa një adresë. Asnjë institucion nuk merr përgjegjësi për barin që po lulëzon asfalteve.
Megjithkëtë, Muçiqi shpjegon se janë tre elemente bazë që duhet të ndodhin për të ndryshuar këtë situatë.
“Janë tri elemente kyçe që duhet të ndodhin për të ndryshuar këtë situatë: E para duhet pasur parasysh se Kosova tashmë pothuajse ka rrumbullakuar infrastrukturën, investimet e ministrive të linjës të bazohen mbi kritere të qarta, ndërkaq investimet në komuna të bazohen në parametrat e planifikimit zhvillimor dhe strategjik, si dhe t’i shmangen investimeve të coptëzuara dhe ad-hoc. E dyta, Kosova duhet të integrojë parametrat evropian të standardeve dhe cilësisë në të gjitha investimet publike. Dhe e treta, buxhetimi duhet të jetë mbi parametrat e standardeve dhe cilësisë, duke pamundësuar qasjen e operatorëve të papërgjegjshëm”, shpjegon Muçiqi.
Më tej, ai thekson se në kuadër të kësaj e rëndësishme është të ketë kompani vlerësuese të specializuara dhe të pavarura të mbikëqyrjes së investimeve.
Pas lulëzimit të barit, ndahen 1.5 milion për kontrollin e cilësisë
Për asfaltin që po shtrohet shkele e shko, e mbi të cilin po lulëzojnë barishtet, e tregojnë më së miri rrugët që u shpërfaqën këto ditë në Klinë, Deçan, Shtime e Skenderaj. Rrugët e këtyre komunave, por edhe të tjerave, tashmë kanë filluar të shndërrohen në “kopshte”.
Por, edhe ky problem do të zgjidhet në kurriz të qytetarëve, pra me paratë e tyre. Ministria e Infrastrukturës ka shpallur tender në vlerë prej 1.5 milion euro për kontrollin e cilësisë së rrugëve në gjithë vendin.
Vetëm pesë muaj pas asfaltimit të rrugës Çabiq-Ujmirë në Klinë, bari tashmë ka mbirë në asfalt, ani pse për ndërtimin e kësaj rruge janë shpenzuar hiç më pak se 92 mijë e 238 euro.
Ndërkohë që prej 2 mijë e 43 kilometra rrugë sa ka tërë Kosova, vetëm 70 kilometra rrugë kanë mbetur pa asfalt. Shumica e tyre janë rrugë rajonale.
Në Ministrinë e Infrastrukturës kanë treguar se në total rrugë të paasfaltuara, qoftë nacionale apo rajonale janë 75.2 km.
“Ministria e Infrastrukturës është përgjegjëse për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e autostradave, rrugëve nacionale dhe rajonale. Rrugë nacionale të paasfaltuara janë vetëm 1.9 km, ndërsa rrugë rajonale të paasfaltuara janë 73.3 km”, ka thënë nga ministria.
E ndonëse janë gjithsej shtatë rrugë që janë pa asfalt, Ministria e Infrastrukturës ka nisur punën për ndërtimin e vetëm njërës prej tyre. Bëhet fjalë për rrugën Deçan-Kozhnjer që është e gjatë 24 km.
Por, për të tjerat nuk kanë përmendur ndonjë vit se kur do të fillojnë saktësisht punimet për asfaltimin e tyre.
“Ministria e Infrastrukturës gjatë këtij viti ka filluar ndërtimin e fazës së parë të rrugës rajonale (R108) Deçan – Kozhnjer. Sa u përket rrugëve tjera, Ministria e Infrastrukturës do të shikojë mundësinë e përfshirjes së këtyre rrugëve në projeksionet buxhetore të viteve të ardhshme”, kanë deklaruar nga Ministria e Infrastrukturës.
E se këto rrugë janë në këtë gjendje tash e sa kohë, ishte përmendur disa herë edhe në raportet për “Statistikat e Transportit”, që publikon Agjencia e Statistikave të Kosovës çdo tre muaj.
Mirëpo, në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për tremujorin e tretë të vitit 2018, thuhet se pa asfalt janë 90 km rrugë, e jo 75.3, siç thonë në Ministrinë e Infrastrukturës, edhe pse si burim për këto të dhëna kjo agjenci e ka MI-në.
“Në vitin 2017 nga gjithsej 2,043 km rrugë, 1,953.4 km apo shprehur në përqindje 95.6% janë rrugë të asfaltuara, ndërsa 90 km apo 4.4% e rrugëve janë të paasfaltuara”, thuhet në raportin e ASK-së për TM3 të 2018-s./FaktePlus