Shkallët e rrezikshme për qytetarët, Komuna e Posta fajësojnë njëra-tjetrën (VIDEO)
Prej kohësh janë thyer e gati janë bërë të pakalueshme shkallët tek objekti i Postës, respektivisht Telekomi i Kosovës. Këto shkallë që janë si mos më keq, nuk pritet të rregullohen së shpejti, e tani me afrimin e dimrit edhe mund të jenë rrezik për qytetarët e shumtë që frekuentojnë nëpër atë pjesë.
E deri sa Komuna dhe Posta po përplasen mes vete se përgjegjësi e kujt janë këto shkallë, qytetarët thonë se janë në hall me gjendjen e shkallëve.
Kjo pjesë thuajse e shkatërruar vazhdon të jetë shumë e papërshtatshme dhe mund të jetë edhe e rrezikshme për këmbësorët tani në stinën e dimrit. Qytetarët ankohen se është e vështirë të kalohet nëpër to gjatë dimrit kur ka akull e ngrica, si dhe gjatë natës.
Zyrtarët nga komuna e Prishtinës kanë lënë të kuptohet se nuk e kanë ndërmend të bëjnë rregullimin e shkallëve, pasi sipas tyre kjo pjesë nuk është nën kompetencat e tyre.
“Shkallët janë në perimetrin e parcelës së Postës e Telekomit dhe përkujdesja për mirëmbajtjen e tyre do të duhej të bëhet nga vete kompania. Ndërsa, punimet në pllatonë e “Kurrizit” do të vlerësohen nga Komuna për të vendosur mënyrën e duhur për hapat e mëtutjeshëm. Kjo pjesë e rëndësishme e lagjes Dardania, është vend i frekuentuar, por punët e ekzekutuara nuk janë në nivelin e dëshiruar, që është evidente dhe ne si Komunë vazhdimisht marrim ankesa nga qytetarët për këtë çështje”.
E nga Posta, respektivisht Telekomi i Kosovës përveç që kanë kundërshtuar atë që deklarojnë zyrtarët e komunës, kanë bërë të ditur se lidhur me këtë çështje tashmë kanë ushtruar padi ndaj Komunës së Prishtinës.
“Posta e Kosovës nuk ka të planifikuar ndonjë projekt për rregullimin e shkallëve, pasi që komplet parcela ku ndodhen shkallët është në pronësi të Komunës së Prishtinës, bile për këtë çështje, ndërmarrja jonë ka ushtruar padi ndaj Komunës së Prishtinës me pretendimin se parcela përreth objektit duhet t’i përket Postës së Kosovës, por ende nuk kemi Vendim të Gjykatës. Pra lënda është në procedurë. Prandaj, nuk mundemi me qenë ne përgjegjës për rregullimin e shkalleve, përderisa ende nuk jemi pronar legjitim të pronës ku janë te vendosura shkallët”.
Si do qoftë, nga Posta kanë shprehur gatishmërinë për çdo bashkëpunim që kërkohet nga ana e Komunës së Prishtinës vetëm për të rregulluar sa më parë shkallët, që tani paraqesin edhe rrezik për kalimtarët./FaktePlus