Shkaku i Kamenicës, grevat në arsim duken të pashmangshme
Dita e parë e mësimit për këtë vit shkollor nisi në gjithë vendin. Por, mësimi është në rrezik të ndërpritet pasi është paralajmëruar grevë. Shkaktar i hyrjes në grevë mund të jetë mbyllja e disa shkollave në komunë të Kamenicës, respektivisht vendimi i kryetarit Qëndron Kastrati për të riorganizuar procesin mësimor atje, e të cilin e kanë kundërshtuar mësimdhënësit, prindërit e nxënësve dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
Sot nuk pati grevë pasi në të gjitha shkollat e komunës së Kamenicës dhe në nivel vendi, mësimi ka filluar të mbahet sikurse viteve të kaluara.
Këtë e kanë konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës, si dhe vetë kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se në të gjitha shkollat e Kamenicës, mësimi ka filluar si më parë dhe shpresojnë që kryetari Kastrati do ta tërheq vendimin për mbylljen e disa shkollave.
“Sa i takon Kamenicës ne e kemi përcjell situatën me kujdes, raportet e para nga kolegët tonë flasin që mësuesit dhe nxënësit kanë shkuar të gjithë në shkollat e tyre, pra edhe në ato shkolla që Kastrati kishte planifikuar t’i mbyllte. Nuk ka pasur ndonjë telashe të theksuar dhe kjo na jep një lloj shprese që gjërat do të shkojnë mbarë dhe se kryetari do ta tërheq vendimin e tij së paku për këtë vit shkollor”, ka thënë Jasharaj.
Ndërsa, i pyetur rreth asaj se çka do të ndodhë nëse kryetari Kastrati nuk do të tërhiqet nga ky vendim, Jasharaj ka thënë se do të presin në ditët në vijim se cilat veprime do t’i ndërmerr Kastrati, në të kundërtën do të fillojnë me grevë dy orëshe në Kamenicë, për të vazhduar me përshkallëzim të grevës në të gjithë vendin.
“Po them nëse ai nesër apo në ditët në vijim tenton t’i mbyll këto shkolla kolegët tanë kanë thënë se do të fillojnë me grevën dy orëshe pastaj do t’i japin afat kryetarit Kastrati të tërhiqet, ose edhe në si SBASHK nuk do të qëndrojmë duarkryq dhe do të ndërmarrim masat sindikale”, ka thënë ai.
Sipas tij, çështja e mbylljes së shkollave në Kamenicë mund të zgjidhet shumë lehtë.
Ai ka propozuar që MASHTI-i të ndërhyjë që vendimi për mbyllje të shkollave të tërhiqet dhe pasi të bëhet studim të merret ndonjë vendim në nivel vendi, pasi në situatë të njëjtë janë shumë shkolla në Kosovë.
“Kjo çështje të ngritët në nivel vendi, sepse po them SBASHK-u është shumë i shqetësuar me rënien e numrit të nxënësve, sepse nuk kemi vetëm në Kamenicë por kemi edhe në vende të tjera në Kosovë, dhe ne duhet ta kemi një platformë afatgjatë për atë se si do të veprojmë pa e dëmtuar dhe e lënduar askënd”, ka deklaruar për FaktePlus, kryetari Jasharaj.
Që mësimi ka filluar pa ndonjë problem në të gjitha shkollat në Kamenicë e ka thënë edhe kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati.
Por, ai ka pohuar se nuk do të tërhiqet nga vendimi, i cili ka paraparë të bëhet vetëm një riorganizim për shkak të përmirësimit të cilësisë.
Madje, Kastrati është i bindur se asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet pa punë, pavarësisht riorganizimit të disa shkollave në këtë komunë, shkruan FaktePlus.
“Ne kemi thënë se do të bëhet një riorganizim, e që i bjen realisht vetëm ndryshim objektesh. Unë i porosis si prindërit ashtu edhe mësimdhënësit se kjo është vetëm për të mirë të nxënësve, nuk ka kurrfarë cilësie nëse i kemi 5 nxënës në klasë ose më pak. Ne synojmë këtë vetëm për hatër të nxënësve dhe është me rëndësi me përsërit se asnjë mësimdhënës nuk ka me mbet pa punë. Pra mendojmë t’i risistemojmë dhe nëse sindikata pajtohet ata e marrin 70 për qind të pagës si kompensim mujor”, ka thënë ai për FaktePlus.
Kurse, i pyetur për paralajmërimin e fillimit të grevave, Kastrati ka thënë se i respektojnë veprimet sindikale, por ka shtuar se kjo po bëhet nga disa që po veprojmë kështu vetëm sa për të fituar poenë politikë.
“Ne kemi respekt për organizimin sindikal dhe ata nuk duhet të harrojnë se për çka janë të thirrur. Ne jemi taku dhe duhet ta kuptojnë se me rëndësi është që të na bindin vetëm nëse është në të mirë të nxënësve, ndryshe jo me përdor këto mjete të kërcënimit dhe shantazhit që në kurriz të fëmijëve me përfitu grupe të tjera. Kështu që mendoj se këtë do ta bëjnë për arsye politike me u mundu tash para zgjedhjeve me orientu ndonjë votë dikah”, ka thënë ai.
Ditë më parë, Kastrati ka deklaruar se ideja e këtij riorganizimi është zvogëlimi i numrit të shkollave në Kamenicë dhe bartja e nxënësve nga ana e komunës në shkolla të caktuara./FaktePlus