Shifra zyrtare: Sa punëtorë janë pa kontrata në Kosovë dhe sa paguhen ata
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për vitin 2019. Sipas rezultateve të dala nga ky publikim del se papunësia në Kosovë është 25.7 për qind.
Por, ASK ka treguar se një numër i madh i qytetarëve të Kosovës punojnë pa kontrata.
Sa u përket të punësuarve me kontrata, ASK thotë se 45.3 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore.
“Për sa i përket llojit të kontratës, që kishin të punësuarit e intervistuar, shumica (86.7%) kishin një kontratë individuale, ndërsa pjesa tjetër punonin pa kontratë. Për të rinjtë e moshës (15 deri 24 vjeç), përqindja e atyre që punonin pa kontratë ishte 25.0 %”, shkruan FaktePlus.
Agjencia e Statistikave ka bërë me dije se nga personat, që kishin kontratë pune, vetëm 45.3 % kishin një kontratë të përhershme për punën e tyre kryesore, ndërsa 54.7% kishin kontrata të përkohshme.
“Shifrat janë të ngjashme për meshkujt dhe femrat. Personat, që kishin kontrata të përkohshme, u pyetën se pse ata kishin këtë lloj kontrate dhe 90.8% e të intervistuarve raportuan se nuk kishte asnjë lloj tjetër kontrate në dispozicion”.
Në këtë raport është treguar se paga në bizneset private sillet nga 400 deri në 500 euro.
“Pagat neto të shumicës së punonjësve ishin midis 400 € deri 500 € në muaj. Janë vërejtur dallime gjinore me 4.0 % më e lartë te femrat se sa te meshkujt”./FaktePlus