Sherifi: Nëse nuk bashkohemi, po lëmë hapësirë për opsionet tjera
Me vonesat për arritjen e një konsensusi mes spektrit politik të Kosovës për krijimin e një platforme për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, do t’i lihet hapësirë opsioneve tjera, e që ka rrezik dhe mund të jenë edhe korrigjimi apo shkëmbimi i territoreve.
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Bilall Sherifi, në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë se partitë politike ka vite që janë vonuar për t’u bërë bashkë në mbrojtje të interesave të përgjithshme.
“Ka vite që ne jemi duke u vonuar në mbrojtjen e interesave të të gjitha partive politike, të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe shtetit në përgjithësi. Fakti që jemi duke u vonuar nuk është ndonjë risi. Çështja është a duam ta ndalim këtë trend të vonesave apo nuk duam ta ndalim, a ka gatishmëri që interesi shtetëror të jetë mbi çdo interes partikular apo nuk ka”, tha Sherifi.
Ai shfaqi besimin e tij se tashmë është koha e fundit që interesat partikulare të harmonizohen dhe të vihen në funksion të interesave të përbashkëta të shtetit.
Sipas tij, nëse nuk veprohet shpejt për t’u unifikuar, atëherë do t’iu lihet hapësirë opsioneve tjera.
“E kam thënë, po e përsëris, sa më shumë që vonohemi partitë politike në Kuvend që të arrijmë një konsensus, pozitë e opozitë dhe një pajtueshmëri, një platformë, një ekip i delegacionit, aq më shumë i lihet hapësirë opsioneve tjera që shihet qartë se në Kuvend nuk mbështetet”.
“Dikush këtu në skenën politike të Kosovës është duke shtyrë agjenda në krye te të cilave është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit, shkëmbim territoresh. Nëse Kuvendi është kundër atëherë duhet të paraqes një alternativë, alternativa nuk mjafton vetëm jemi kundër, por edhe për çka jemi. Pra, ky Kuvend më në fund duhet të vendos çka donë, jo vetëm çka nuk donë”, theksoi ai.
Duke folur për tërheqjen e propozim-rezolutës për dialogun nga LDK-ja, Sherifi tha se ata vet kërkuan një gjë të tillë. Por, shpreson që opozitarët të jenë të gatshëm për harmonizim.
“Ata vet kërkuan kohë për të provuar që të arrihet harmonizomi i të gjitha partive politike në mënyrë që të votohet unanimisht. Nuk kërkuam ne, edhe nëse kërkojnë shtyrje për të harmonizuar dhe nuk janë të gatshëm për të harmonizuar, atëherë i bie se kjo është vetëm një lojë. Unë nuk besoj që ata të cilët vet kërkojnë shtyrje për harmonizim, të mos jenë të gatshëm dhe të hapur për të përfshirë pikëpamjet e të gjitha grupeve politike”.
Në këtë intervistë shefi i deputetëve të Nismës, flet edhe për koalicionin qeverisës, për të cilin thotë se po kryen punë mjaftë, porse mundet edhe më mirë.
“Mirë po shkon koalicioni, ka çështje që janë kryer mirë, ka çështje që kanë mundur të kryhen më mirë, por Qeveria nuk mund të gjykohet për një punë një vjeçare, mandati është katër vjecarë dhe gjykimi i i plotë do të bëhet në fund të mandatit. Gjykimi më i mirë për koalicionet, për partitë është ai që vjen nga zgjedhësit në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Sherifi.
Ai nuk frikëoshet nëse opozita do ta rrëzojë Qeverinë, duke thënë se aktualisht nuk i ka numrat.
“Partitë opozitare i kanë votat e mjaftueshme për të filluar një mocion, a i kanë votat e mjaftueshme për ta rrëzuar një Qeveri, deri me tani jo, çka mund të ndodh nesër apo pas një jave unë nuk e di. Por, Nisma vazhdon të jetë lojale si partnere e koalicionit qeverisës dhe vazhdojmë t’i kryejmë detyrat që kemi”, deklaroi ai.
Ndërsa, nuk ka dashur të komentojë deklaratat e disa kolegëve të tij në parti se janë të gatshëm t’ia japin opozitës nënshkrimet për ta rrëzuar Qeverinë që e drejton Ramush Haradinaj, duke thënë se ato janë vetëm në nivelin e deklaratave, por që nuk ka asgjë konkrete. /Beadin Syla – FaktePlus